Eksperti i sigurisë Avni Islami ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq lidhur me vizitën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Francë, duke i cilësuar ato si narracione propagandistike të qëllimshme.
Sipas Islamit, deklaratat e Vuçiqit nuk janë të rastësishme, por pjesë e një qasjeje propaganduese që synon ndikim politik. Ai e krahasoi presidentin serb me një “agjent” të shërbimeve si BIA, UDB apo OZNA, i cili, sipas tij, tash vepron si analist politik duke përdorur propagandën si mjet.
Kurti pritet nga Macron në Pallatin Elize, kërkon mbështetje për integrimin evropian dhe sigurinë
Islami theksoi se Kurti është një udhëheqës evropian i pranuar dhe i vlerësuar ndërkombëtarisht, ndërsa Vuçiq, sipas tij, ka mbetur në rolin e një komentatori politik që merret me analizimin e aktivitetit diplomatik të Kurtit.
Ndërkohë, një ditë para takimit Kurti–Vuçiq, presidenti serb kishte deklaruar në televizionin Prva në Beograd se kryeministri i Kosovës mund t’i kërkojë Francës masa “kundër popullit serb”.
Vuçiq pretendoi se Kurti kishte dy kërkesa në Paris: që Serbisë t’i vendoset kusht për të mos përdorur armë kundër shqiptarëve dhe që NATO të largohet nga zona tokësore e sigurisë, në mënyrë që Forca e Sigurisë së Kosovës të shtrihet në veri.
Ai gjithashtu deklaroi se informacionet për “agjendën e Kurtit” i kishte siguruar përmes, siç u shpreh, “njerëzve tanë në rrethin e Kurtit”.
