Lajme

​“Nata e tmerrit” që Mitrovica nuk e harron: Masakër e planifikuar e kriminelëve serbë dhe pa drejtësi

Nata ra mbi Mitrovicë, por me të nuk erdhi qetësia. Mes datës 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000, qyteti u mbulua nga krisma armësh, britma dhe heshtja e atyre që duhej të mbronin civilët. Për Halil Baranin, kryetar i KMDLNj-së për rajonin e Mitrovicës dhe dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjeve, ajo mbetet “nata e tmerrit”. Brenda shtëpive dhe banesave të tyre, 10 shqiptarë u pushkatuan, mes tyre edhe një fëmijë 13-vjeçar, Nderim Mehmeti. Dhuna nuk u ndal me vrasjet, dhjetëra të tjerë u plagosën e u keqtrajtuan barbarisht, ndërsa mijëra u dëbuan me dhunë.

25 persona u plagosën me armë zjarri, 93 të tjerë u keqtrajtuan fizikisht në mënyrën më barbare, pa dallim moshe apo gjinie. Dy prej të plagosurve nuk i mbijetuan pasojave të dhunës dhe vdiqën më vonë në spitalin e Prishtinës.

Të gjitha këto, sipas dëshmisë së Baranit, në prani të ushtrisë franceze dhe policisë së UNMIK-ut, që mbetën vetëm shikues të një krimi që edhe sot, pas gati tri dekadash, nuk ka marrë drejtësi.

“Nata mes datës 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000, përkujtohet jo vetëm nga unë, por nga të gjithë qytetarët e Mitrovicës, përkatësisht të pjesës së okupuar të Mitrovicës, si natë e tmerrit, sepse në prani të ushtrisë franceze dhe policisë së UNMIK-ut, brenda nëpër shtëpi dhe banesat e tyre, janë pushkatuar 10 shqiptarë, gjashtë femra dhe gjashtë meshkuj. Në mesin e tyre, një fëmijë 13-vjeçar, Nderim Mehmeti. Në prani të këtyre forcave që i përmenda më herët, apo ‘paqeruajtësve’, u dëbuan me dhunë nga banesat dhe shtëpitë e tyre, pothuajse të gjithë shqiptarët që jetonin në pjesën e okupuar të qytetit. Natën e tmerrit që, ashtu e kam quajtur me kohë atëherë në 2000-tën, nata e tmerrit, jo vetëm këta 10 të pushkatuar, por kanë qenë edhe 25 të plagosur me armë zjarri, pa dallim moshe e gjinie. Të keqtrajtuar fizikisht në mënyrën më barbare 93 të tjerë, ku dy prej tyre, me 27, përkatësisht me 28 shkurt 2000, kanë vdekur në spitalin e Prishtinës. Të gjitha këto, janë bërë në prani të ushtrisë franceze dhe policisë së UNMIK-ut. Të gjithë, një pjesë e madhe e këtyre shqiptarëve, atë natë kanë kërkuar ndihmë prej francezëve dhe prej policisë së UNMIK-ut. Ata vetëm kanë bërë sehir, nuk u kanë ofruar ndihmë. Kur e kanë kryer kriminelët punën e tyre, kriminelët çetnikë serbë, kur e kryjnë punën e tyre, atëherë i kanë marrë të plagosurit, i kanë çuar në spitalin e improvizuar maroken që ka qenë në lagjen Bair të Mitrovicës. Ndërsa të pushkatuarit apo trupat e pajetë të 10 shqiptarëve, i kanë bartur prej atje, i kanë sjell në pjesën e okupuar, në pjesën tjetër, nga pjesa e okupuar e qytetit, në pjesën tjetër të qytetit të Mitrovicës”, thotë Barani për KosovaPress.

Ai tregon se masakra nuk ishte e rastësishme. Sipas tij, pas luftës së vitit 1999, Mitrovica u shndërrua në strehë për persona që kishin kryer krime ndaj shqiptarëve nëpër Kosovë. Më 2 shkurt 2000, civilë të armatosur serbë hynë në pjesën veriore të qytetit dhe evidentuan banesat ku jetonin shqiptarët. Një natë më vonë, më 3 shkurt, rreth orës 21:00, nisi sulmi që zgjati deri në orët e para të mëngjesit të 4 shkurtit, duke lënë pas viktima e plagë.

“Po dihet, sepse në Mitrovicë janë grumbulluar menjëherë pas lufte, në vitin 1999, kur kanë hyrë forcat paqeruajtëse në Kosovë, nga të gjitha qytetet e Kosovës krejt ata kriminelë që kanë bërë krime mbi popullatën shqiptare, janë vendosur në Mitrovicë. Po të njëjtit, po tash ai është i pushkatuar vetë nga bashkëkriminelët e tij, Oliver Ivanoviqi, ka qenë prijësi apo kryekrimineli, ata vetë e kanë vrarë më vonë por ai ju ka pri dhe i kanë pushkatuar brenda nëpër banesa. Duhet të ceket se me 2 shkurt, të vitit 2000 kanë ardhur një pjesë e madhe e civilëve të armatosur serbë në pjesën e okupuar të Mitrovicës dhe e kanë bërë evidentimin e banesave dhe shtëpive ku jetojnë shqiptarët. Pastaj me 3 shkurt të viti 2000, prej orës 21 kur ka filluar në mbrëmje masakrimi i shqiptarëve ka zgjatur deri në orën 4 të mëngjesit të datës 4 shkurtit. Brenda kësaj kohe janë pushkatuar, përkatësisht plagosur dhe keqtrajtuar fizikisht në mënyrën më barbare ata shqiptarë”, thotë ai për KosovaPress.

Barani të gjitha deklaratat e dëshmitarëve për rastin e 14 prillit 1999 dhe rastin e 4 shkurtit 2000 i ka deponuar me 25 shkurt 2013 në Prokurorinë e EULEX-it.

Por, edhe pas gati tri dekadash, drejtësia për këtë masakër mungon. Barani thekson se në Kosovë janë kryer mbi 400 masakra dhe se ajo e Mitrovicës mbetet ndër më të rëndat, pikërisht sepse ndodhi në prani të forcave ndërkombëtare. Ai kujton se, ndonëse ka dëshmuar edhe në Hagë për krimet e kryera ndaj shqiptarëve, askush nuk është mbajtur përgjegjës për atë që ndodhi atë natë në Mitrovicë.

“More nuk është vendosur drejtësi për të gjitha masakrat që janë mbi 400 masakra në mbarë Kosovën, anë e mbanë, se jo për kjo, po kjo është më e llahtarshmja, kjo është më e rëndësishmja sepse është kry masakra në praninë e forcave të ashtuquajtura paqerujtëse, apo policisë së UNMIK-ut dhe ushtrisë franceze. Në shkurt të vitit 2002, unë kam qenë edhe në Hagë si dëshmitar kundër kasapit të Ballkanit për krimet që i ka bo, me ushtrinë dhe policinë dhe civilët e armatosur serb në Kosovë, dhe të gjitha këto janë prezantuar, edhe ato të mëhershmet. Se në Mitrovicë janë 12 masakra gjithsejtë, ’98, ’99. Po kjo është masakra e fundit që ka ndodh para syve të këtyre që kanë ardh si paqerujtës. Po asgjë. Më vonë, pas vitit 2000, 2002 në realitet, është akuzuar kryekrimineli Oliver Ivanoviq dhe është dënuar me nëntë vite burg. Pastaj është kthyer nga apeli në rigjykim lënda e tij, dhe është liruar ai deri në gjykimin tjetër. Po, e vranë bashkë-veprimtarët, bashkë-kriminelët e tijna vet, kështu që mbet pa u gjykuar askush. Ka edhe të tjerë, kanë me emër e mbiemër kanë qenë në gjyq. Deri më tani, nuk ka asgjë në atë drejtim”, rrugën Barani.

Në qytetin ku, janë vrarë gjithsej 544 shqiptarë civilë, përfshirë fëmijë, gra shtatzëna, të moshuar dhe persona të paralizuar të pushkatuar në shtrat, familjarët e viktimave vazhdojnë të jetojnë me kujtime, dhimbje dhe pritje të pafundme. Sot, ata përkujtohen rrallë, siç thotë Barani, zakonisht vetëm në kohë fushatash zgjedhore, ndërsa “nata e tmerrit” mbetet një plagë e hapur në kujtesën e Mitrovicës dhe të Kosovës.

“Familjarët e viktimave, jo vetëm të këtyre të shkurtit, të 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, po edhe ato sepse, para këtyre, sepse në Mitrovicë gjithsej janë vrarë 544 shqiptarë, pa dallim moshe e gjinie. Në mesin e tyre fëmijë, gra shtatzëna, pleq, plaka, pleq dhe plaka të paralizuar, të shtrirë nëpër shtretër dhe janë pushkatuar të gjithë. Të gjithë kanë pritur një kohë të gjatë, por tashmë i kanë humbur shpresat, sepse askush, deri kur të vijnë zgjedhjet, askush nuk i përmend. Ndërsa kur vijnë zgjedhjet, fillojnë me i përmend aty-këtu, po edhe ato shkarazi shkojnë edhe kalojnë këto punë”, thekson ai.

3-4 shkurti i vitit 2000 vazhdon të jetë një kujtesë e gjallë e një krimi. Atë natë u vranë: Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka, Remzije Canhasi, Selime Berisha, Nezir Voca, Shqipe Voca, Bashkim Rrukeci, Nimon Sejdiu, Sebiha Abrashi dhe Muharrem Sokoli.

Të Ngjashme