Tash e dy vjet, më 24 shtator 2023, ndodhi sulmi në Banjskë, në veri të Mitrovicës, një akt i armatosur nga terroristë serbë. Gjatë sulmit, një polic i Kosovës humbi jetën, ndërsa një tjetër u plagos. Në krye të grupit terrorist ishte Milan Radoiçiç, i cili së bashku me bashkëpunëtorët e tij u arratis në Serbi dhe ende nuk janë dorëzuar tek autoritetet e Kosovës, pavarësisht thirrjeve për dorëzim.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka theksuar rëndësinë e vënies para drejtësisë të përgjegjësve për sulmin terrorist në Banjskë, duke nënvizuar se aleanca pret hapa konkretë nga autoritetet serbe.
Para takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, Rutte deklaroi se për këtë çështje ka zhvilluar edhe një bisedë të drejtpërdrejtë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili, sipas tij, ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe për të vepruar në drejtim të zbardhjes së plotë të rastit.
Dashevci: Serbia po i strehon terroristët të kërkuar edhe nga Interpoli
Eksperti i sigurisë Arben Dashevci thotë se Serbia refuzon të dorëzojë kryesit e sulmeve në Banjskë dhe ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, pavarësisht kërkesave të NATO-s, BE-së dhe SHBA-së.

Eksperti i sigurisë Arben Dashevci
Ai kritikon Serbinë për strehimin e terroristëve të kërkuar nga Interpoli dhe përdorimin e tyre kundër qytetarëve në protestat njëvjeçare, duke e cilësuar këtë si absurde dhe një shenjë të kontaminimit të establishmentit politik dhe pasigurisë në rajon.
“Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, për të pestën herë që nga viti 2023 ka thënë se po kërkojnë vazhdimisht nga Serbia që t’i sjellë para drejtësisë kryesit e sulmeve në Banjskë dhe të sulmit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan.
Kjo është kërkesë gjithashtu edhe e BE- së dhe SHBA- së.
Serbia nuk i respekton dhe as nuk po i zbaton këto kërkesa që janë obligative, ajo po i strehon terroristët të kërkuar edhe nga Interpoli, pra ata janë në Serbi dhe tash po i shërbejnë pushtetit atje, kundrejt qytetarëve në protestat që po zhvillohen tash e një vit.
Është absurde dhe e papranueshme t’i strehosh terroristët dhe t’i përdorësh ata kundrejt qytetarëve, kjo tregon se sa i kontaminuar është establishmenti politik atje, që sjellë pasiguri në shtetin e tyre dhe në rajon”, thotë ai.
Dashevci thotë se kërkesa e NATO-s ndaj Serbisë për dorëzimin e kryesve të sulmeve në Banjskë është thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës.
Ai paralajmëron se mosveprimi i Serbisë paraqet kërcënim për Kosovën, KFOR-in dhe botën demokratike, ndërsa forca e KFOR-it është rritur pesëfish si sinjal ndaj Serbisë se sulme të tilla nuk do të tolerohen më dhe do të ketë reagim vendimtar.
“Kërkesa e NATO-s ndaj Serbisë natyrisht se ndikon në sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, pra parandalon mendoj unë çfarëdo lloj sulmi tjetër dhe nuk do të tolerohet më.
Kërkesa e NATO- së është obligative kërkesë kjo që Serbia herët a vonë do ta zbatoj sepse trysnia do të jetë edhe më e madhe mendoj unë deri në dorëzimin e tyre, dihen edhe emrat e tyre.
Mosveprimi i Serbisë gjithmonë do të përbëj kërcënim në aspekt sigurie për Kosovën, KFOR-in dhe botën demokratike.
Kërkesat e NATO-s në po ndikojnë shumë në forcimin e pranisë së KFOR-it në Kosovë, është pesëfishuar numri i ushtarëve të KFOR, ky është sinjal i qartë për Serbinë mos-bashkëpunuese, nuk tolerohet më një Banjskë dhe do të reagohet me vendosmëri”, thekson ai për “Bota sot” .
Berisha: Kjo kërkesë po ua bënë me dije se drejtësia mund të vonoj por nuk harrohet

Fidair Berisha
Edhe eksperti tjetër i sigurisë, Fidair Berisha, thekson se kërkesa e NATO-s ndaj Serbisë për dorëzimin e autorëve të sulmeve në Banjskë është kyçe për parandalimin e pandëshkueshmërisë, ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në veri të Kosovës, dhe se mosveprimi i Serbisë rrit rrezikun e incidenteve të reja dhe dobëson besueshmërinë e KFOR-it.
“Kërkesa e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së ndaj Serbisë, duke kërkuar që Serbia t’i sjellë para drejtësisë autorët e sulmit në Banjskë dhe sulmit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, na bënë të kuptojmë se nuk do të tolerojnë pandëshkueshmëri për akte të dhunshme dhe terroriste që kërcënojnë rendin dhe sigurinë.
Kjo kërkesë po ua bënë me dije se drejtësia mund të vonoj por nuk harrohet dhe se mund të shërbejë si mesazh se krimet nuk kalojnë pa pasoja dhe ky fakt mund të ketë impakt që mund të frenojë sulme të reja apo provokime nga grupet kriminale dhe terroriste. Ndryshe mund të themi kjo iniciativë e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së mund të kontribuojë në stabilitet dhe ulje të frikës për incidente të reja. Në përgjithësi, shiquar nga pikëpamja e sigurisë afatgjatë, kërkesa e NATO-s mund të forcojë besimin e komuniteteve në veri të Kosovës se institucionet ndërkombëtare, në rastin konkret KFOR-i ka qasje serioze për të gjitha komunitetet pa dallim në mbrojtjen e rendit dhe qetësinë publike dhe kjo mund të shihet si shpresë për qetësimin e situatës në pjesën veriore, nëse implementohet me vendosmëri nga KFOR-i.
Për rastin konkret mosveprimi i Serbisë dhe injorimi i saj ndaj kërkesës së KFOR-it, mund të shihet si rrezik nga Serbia, por dhe si paralajmërim për destabilizim të mëtejshëm.
Mosdorëzimi dhe mosdenimi i autorëve mund t’i nxisë ata apo dhe grupe të tjera që të planifikojnë sulme të reja, me bindjen se nuk do të ketë pasoja. Kjo do ta bënte situatën edhe me komplekse në terren duke shfaq pasiguri për qytetarët dhe për forcat e rendit.
Nëse çfarëdo akti terrorist mbetet i pandëshkuar, potencialisht rritet rreziku për përshkallëzim të situatës së sigurisë duke përfshirë dhunë, incidente etnike, provokime etj. Prezenca e KFOR-it edhe më tej është e domosdoshme në atë pjesë, mirëpo mosveprimi nga ta mund të dëmtojë besueshmërinë e KFOR-it ndaj sigurisë dhe të ndihmoj për eskalim të tensioneve ndërmjet komuniteteve gjë që kërcënon stabilitetin e përgjithshëm në veri të Kosovës dhe më gjerë”, potencon ai.
Se sa do të ndikojnë kërkesat e NATO-s në forcimin e pranisë së KFOR-it në Kosovë?
Tutje, ai thekson se kërkesat e NATO-s mund të çojnë në rritjen e pranisë dhe kapaciteteve të KFOR-it për të garantuar sigurinë në Kosovë.
Ai paralajmëron se mosbashkëpunimi i Serbisë rrit rrezikun e përshkallëzimit në veri dhe nënvizon nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar dhe rajonal për të finalizuar marrëveshjet Kosovë-Serbi.
“Po sigurisht që ekziston një mundësi konkrete që reagimi i NATO-s të përkthehet në rritje të pranisë, kapaciteteve ose angazhimit të KFOR-it.
Sipas Rutte, NATO po i përcjell nga afër zhvillimet dhe, sipas tij, stabiliteti i sigurisë në Kosovë, është në interes të të gjithëve pa dallim nacionaliteti.
Nëse Serbia vazhdon me avazin e vjetër dhe nuk bashkëpunon ,atëherë NATO mund të vendosë që të forcojë praninë e KFOR-it si masë preventive për të garantuar sigurinë dhe për të shmangur përshkallëzimin i cili ka ndodh sa e sa herë nga grupet terroriste e kriminale në pjesën Veriore të Mitrovicës.
Mos arritja e marrëveshjes në mes të dy vendeve Kosovë-Serbi paraqet pasiguri jo vetëm për dy vendet, andaj nevoja për finalizimin e kësaj marrëveshje kërkon azhuritet dhe bashkëpunim ndërkombëtar e rajonal për përmbylljen e dilemave në raport me Serbinë e cila asnjëherë nuk zbaton asnjë marrëveshje me Kosovën” – përfundon ai për “Bota sot”.


