Lajme

Ndahet nga jeta At Antonio Belushi, “ati shpirtëror i arbëreshëve”

Është ndarë sot nga jeta At Antonio Bellusci (Belushi) arbëreshi i cili me jetën dhe veprën e tij është identifikuar më së shumti me qenien e arbëreshëve të Italisë në gjysmë shekullin e kaluar.

I lindur në vitin 1934 në Frasnitë të Kalabrisë, Antonio Bellusci, i cili është arsimuar për klerik, gjithë jetën e tij ja ka kushtuar qenies arbëreshe, mbijetesës së “gjakut të shprishur”. Veprimtaria e tij është shtrirë shumë përtej asaj të një kleriku dhe kap majat që ka njohur bota arbëreshe në kohën tonë.

I quajtur edhe si “Ati shpirtëror i arbëreshëve të Italisë”, At Antonio Bellusci është më meritori për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të komunitetit që prezantonte, shkruan albinfo.ch. Më shumë se kaq, ai ka dhënë dëshmi të panumërta për mbrojtjen e kauzës shqiptare, sidomos asaj të Kosovës, si klerik dhe veprimtar shkencor e humanitar, gjithandej nëpër botë. Po ashtu Bellusci njihet si mbështetës i arvanitasve të Greqisë, të cilët i ka njohur dhe studiuar mbase si askush tjetër.

At Antonio ishte adresa e pashmangshme dhe mikpritëse e pothuaj të gjithë shqiptarëve nga “përtej detit” që vizitonin arbëreshët, duke mbetur gjithnjë në dispozicion të tyre me njohuritë dhe kompetencën e lartë që kishte për botën arbëreshe. Po ashtu biblioteka e tij personale është model për ruajtjen e librave dhe revistave nga e gjithë bota shqiptare.

“Ai ishte themelues i Revistës “Vatra jonë” (Il nostro focolare) 1966, në San Costantino Albanese, i Revistës “Lidhja” (L’unione) në 1980 në Cosenza; hulumtues i riteve e zakoneve të arbëreshëve, etnograf e publicist. Prift i devotshëm i Eparkisë së Lungros. Ai ka një nga bibliotekat dhe arkiv personal ndër më të pasurit e të vyerit ndër arbëreshë. Në shtëpinë e tij ka themeluar Qendrën e Studimeve dhe Bibliotekën “Bellusci”, shkruan studiuesja e trashëgimisë arbëreshe dhe njohësja e mirë e tij, Diana Jup Kastrati.

Shembulli prej rilindasi të vërtetë, në kushte të reja, të cilin Belushi e mishëronte në mënyrë ideale, mbetet unik dhe i papërsëritshëm.

Ndahet nga jeta At Antonio Belushi, “ati shpirtëror i arbëreshëve”