LifeStyle

Ndahet nga jeta kompozitori i njohur grek, cila ishte lidhja e tij me artin shqiptar?

Kompozitori i njohur grek, George Leocakos, president nderi i Theater and Dance Critics Association të Greqisë ka humbur jetën pasditen e kësaj të marte.

Njoftimin për ndarjen e Tij nga jeta e dha z. Constantine P. Carambelas-Sgourdas, në emër të Bordit të Drejtorëve të Shoqatës Greke të Muzikës, Teatrit dhe të Dansit.

Leocakos erdhi për të parën herë në Shqipëri në fillim të viteve 1980. Interesi i tij studimor përfshinte gjithçka që lidhej me muzikën në Shqipërinë e mbyllur të atyre viteve, prej muzikës popullore, edukimit muzikor në shkollat tona, interpretimi i muzikës dhe sidomos krijimtaria muzikore shqiptare.

Ai u njoh nga afër më gjithë klasën e krijuesve dhe studiuesve shqiptarë, duke lidhur me secilin prej tyre një marrëdhënie profesionale dhe miqësore. Lecakos e donte dhe e do muzikën shqiptare dhe krijuesit e saj.

Janë të shumta takimet e tij me Çesk.Zadejën, Tish Dainë, Nikolla Zoraqin, Feim Ibrahimin, Tonin Harapin, Gjon Simonin, Simon Gjonin, Aleksandër Peçi, Thomas Simaku etj. Falë Leocakos, krijuesit shqiptarë janë pasqyruar në enciklopedinë e madhe të muzikës botërore GROVE DICTIONARY OF MUSIC dhe po falë tij zëri ALBANIAN MUSIC është pjesë përbërëse e kësaj enciklopedie emërmadhe.

Dhjetëra shkrime e libra të publikuara prej tij kanë hapësirën e tyre të dedikuar për muzikën dhe krijuesit tanë. Arkivi i i Leocakos për muzikën shqiptare mund të jetë ndoshta më i pasur edhe se ndonjë arkiv institucioni që e ka për detyrë kujdesin ndaj trashëgimisë sonë muzikore.

Ai nuk i shkëputi marrëdhëniet me Shqipërinë edhe pas viteve 1990, duke u bërë pjesë e aktiviteteve muzikore që organizoheshin dhe duke na vlerësuar me prezencën dhe fjalën e tij që peshon shumë si mendim profesional dhe jo vetëm.