Vendimi i Ministrisë së Mjedisit për mbrojtjen e Parqeve Kombëtare “Bjeshkët e Nemuna” dhe “Sharri”, ngërthen në vete ndalimin e çdo ndërtimi pa leje, si dhe ndalimin e qarkullimit dhe hyrjes së mjeteve transportuese që bartin çdo lloj materiali ndërtimor, mjeteve të rënda të punës dhe makinerive për ndërtim, pa autorizim të dikasterit përkatës.
Me qëllim të parandalimit të dëmeve të mundshme, autoritetet zbatuese të vendimit kanë të drejtë të ndalojnë dhe sekuestrojnë përkohësisht mjetet dhe materialet që tentojnë të hyjnë në park pa leje.
“Me këtë vendim parashihet që të ndalohet çdo aktivitet ndërtimor, duke e përfshirë edhe qarkullimin e veturave të rënda me material ndërtimor. Inspektorati është në terren dhe inspektorati mjedisor ka dalë në terren dhe po e përcjellin situatën. Po ashtu edhe ministria i ka rojet në këto parqe”, ka thënë Fatri Zhitia, këshilltar për media në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Në kuadër të dispozitave të vendimit, parashihet edhe ngritja e kallëzimeve penale kundër atyre që nuk e respektojnë. Për zbatimin e përpiktë është paralajmëruar vendosja e pikave të kontrollit në hyrje të Parqeve Kombëtare, që do të menaxhohen nga Drejtoritë e Parqeve Kombëtare, në mbështetje të Policisë dhe Inspektoratit Qendror.
“Ky vendim do të zbatohet përmes inspektoratit dhe rojeve që ne i kemi atje, e po ashtu edhe përmes qytetarëve që presim të raportojnë për degradimet e mundshme”, ka shtuar Zhitia.
Në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, bazuar në ligjin për mbrojtjen e parkut nacional, në zonën e tretë ndërtimi privat lejohet vetëm nëse pronari i posedon 10 arë tokë.
