Në përvjetorin e 27- të Betejës së Koshares homazhe në Kompleksin memorial bënë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ish-komandanti i UÇK-së në Zonën e Dukagjinit, Ramush Haradinaj, tha se në Koshare nderohen trimat që ranë për liri dhe thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar.
Haradinaj: Nderohet dita e thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar, kujtojmë me respekt të rënët për liri
“Pra, jemi në Koshare e në memorialin ku pushojnë 100 e sa dëshmorë, heronj të atdheut, trima ku nderohet, pra dita e thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar, ku i kujtojmë me respekt të rënët për liri: komandantët, heronjtë Agim Ramadanin, Sali Çekun, Xhemajl Fetahun e shumë të tjerë, por po ashtu i respektojmë edhe të gjallët, bashkëluftëtarët e gjallë, komandantin Rrustem Berisha, komandantët Anton Çuni, Fadil Hadërgjonaj e të gjithë.
Këtu pushojnë luftëtarë të zotë nga të gjitha trevat e atdheut tonë, kombit tonë, por ka edhe prej popujve të tjerë që i janë bashkuar luftës sonë të drejtë. Nuk harrojmë asnjëherë të shprehim respektin për të gjithë që kanë dhënë për lirinë, pra familjet e dëshmorëve, martirët, familjet e martirëve, invalidët, bashkëluftëtarët e të gjallë, por po ashtu u shprehim falënderim edhe NATO-s dhe Amerikës, që u vunë në mbrojtje të popullit të Kosovës në atë kohë edhe ja sot gëzojmë lirinë”, tha ai.
Kryetari i BDI-së, ish-komandant i UÇK-së, Ali Ahmeti, tha se 9 prilli është ditë e shënuar në historinë kombëtare.
Sipas tij, luftëtarët e Koshares dëshmuan se e duan atdheun dhe duan që Ushtria Clirimtare e Kosovës të jetë fitimtare.
Ahmeti: Dëshmuar se vërtet atdheun e duan, deshën që ushtria jonë lavdimadhe të jetë fitimtare
“Sot është një ditë e shënuar në historinë e kombit tonë. Përveç se është e larë me gjak, është ditë e shënuar, sepse thyhet kufiri shqiptaro-shqiptar. Është ditë e shënuar, sepse të gjithë këta luftëtarë të rënë këtu dhe të gjallë kanë qenë një fuqi që i ka dhënë forcë, moral, tërë brigadave që vepronin në Rrafshin e Dukagjinit. Kanë qenë njerëz profesionistë, oficerë profesionistë, atdhetarë të mëdhenj, që me përkushtim përveç që kanë mbajtur vijën e frontit kanë pasur edhe përgjegjësinë morale dhe kombëtare për të furnizuar tërë brigadën dhe tërë formacionet ushtarake që vepronin në Rrafshin e Dukagjinit, në Drenicë e më gjerë në Kosovë deri në Shalë e në Ferizaj. Kështu që këta kanë dëshmuar se vërtet atdheun e duan, duan dhe deshën që ushtria jonë lavdimadhe të jetë fitimtare, ashtu siç fitoi bashkë edhe me aleatët, NATO-n. U vunë në shërbim me të gjitha potencialet që kishte për informacione të NATO-s që sa më parë të shporret e dëbohet nga tokat tona ushtria pushtuese serbe”, tha ai.
