Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Banesore, Arton Berisha, ka bërë të ditur sot se ndërmarrja ka proceduar pagat për punëtorët pas vendimit të Gjykatës Supreme për kthimin në rigjykim të kontestit ndërmjet NPB-së dhe tri kompanive tregtare.
Berisha, në një konferencë për media ka thënë se ky është një moment i rëndësishëm për ndërmarrjen, pasi revizioni ka rezultuar me sukses.
Berisha: Edhe pse pa paga disa muaj, shërbimet e NPB-së vazhduan pa ndërprerje
“Për më shumë se dy muaj, duke hyrë në muajin e tretë pa paga, punëtorët tanë kanë vazhduar me përkushtim, përgjegjësi dhe angazhim, në mënyrë që shërbimet e NPB-së të mos ndërpriten për asnjë ditë”, ka thënë Berisha.
Berisha ka thënë se menaxhmenti ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e ndërmarrjes, duke falënderuar edhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe dy nënkryetarët për mbështetjen gjatë kësaj periudhe.
Ai ka bërë të ditur se pagat për punëtorët tashmë janë proceduar dhe se nga e hëna ndërmarrja do ta vazhdojë punën normalisht.
Berisha: Ndërmarrja Publike Banesore do t’i kthehet punës normale
“Tash, fokusi ynë është kthimi i plotë në normalitet dhe vazhdimi i punës, si dhe përgatitja e hapave të ardhshëm në mbrojtjen e interesit të NPB-së… Ne tashmë i kemi proceduar pagat për punëtorët dhe nga e hëna do ta vazhdojmë punën normalisht, ashtu siç kemi vazhduar edhe më parë, në shërbim të qytetarëve të Prishtinës dhe gjithë komunitetit”, ka thënë Berisha.
Avokati i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), Faton Fetahu, ka thënë se vendimi i Gjykatës Supreme për prishjen e dy aktgjykimeve të Gjykatës Komerciale, me të cilat NPB-ja ishte obliguar të paguante mbi 32 milionë euro për tri kompani private, përbën një fitore në mbrojtjen e interesit publik.
Fetahu ka thënë se shuma prej 32 milionë e 570 mijë eurosh, prej të cilave rreth 32 milionë euro ishin kërkuar në emër të fitimit të humbur, mund të rrezikonte seriozisht funksionimin e ndërmarrjes.
Fetahu: NPB rrezikohej nga falimentimi
“Gjykata Supreme e ka marrë vendimin, i cili tashmë është bërë publik. Ka prishur dy aktgjykimet e Gjykatës Komerciale, me të cilat Ndërmarrja Publike Banesore ishte e detyruar të paguante mbi 32 milionë euro në favor të tri kompanive private. Është një shumë e jashtëzakonshme, e cila mund të rrezikonte seriozisht ekzistencën dhe funksionimin e kësaj ndërmarrjeje, respektivisht mund ta ekspozonte lehtësisht ndaj falimentimit”, ka deklaruar Fetahu.
Ai ka vlerësuar se vendimi ka rëndësi jo vetëm për NPB-në, por edhe për komunitetin juridik në Kosovë, veçanërisht për mënyrën e trajtimit të çështjeve që lidhen me përgjegjësinë për dëmin dhe fitimin e humbur.
Fetahu: Vendimi i Supremes, fitore për mbrojtjen e interesit publik
“Ky vendim është një fitore e jashtëzakonshme për mbrojtjen e interesit publik, për rëndësinë e atij që shkon përtej një çështjeje gjyqësore. Gjykata Supreme, përmes këtij vendimi, ka qartësuar standardet themelore të procedurës civile, të së drejtës së detyrimeve dhe veçanërisht përgjegjësinë për shkaktimin e dëmit”, ka thënë ai.
Kujtojmë, Gjykata Supreme e ktheu në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë kontestin ndërmjet shoqërive tregtare dhe Ndërmarrjes Publike Banesore.
Gjykata miratoi si të bazuara revizionet e paraqitura nga kompanitë “Made Group Construction” SH.P.K., “Arkos” SH.P.K. dhe “Madekos” SH.P.K., e paditura Ndërmarrja Publike Banesore SH.A. (NPB), si dhe pala ndërhyrëse Komuna e Prishtinës, në çështjen juridike-kontestimore lidhur me përmbushjen e kontratës ose kompensimin e dëmit material, përfshirë dëmin e zakonshëm dhe fitimin e humbur.
Në gusht, Ndërmarrja Publike Banesore pati njoftuar se llogaritë e saj bankare janë bllokuar për shkak të një procedure përmbarimore që lidhej me kontestin gjyqësor. Gjykata Komerciale e pati obliguar ndërmarrjen t’ua paguajë 32.5 milionë euro në emër të fitimit të humbur tri kompanive – “Made Kos”, “Made Group” dhe “Arkos”, me të cilat, më 2021 pati lidhur kontratë për bashkinvestim, i cili nuk është kryer. /
