Lajme

​“Ndërtoni dialogun social”, sindikalistët protestojnë para MSH-së

Me pankartat “Duam kontratë kolektive sektoriale”, “Të zbatohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, “Ndaloni mbylljen e reparteve në spitale”, Federata e sindikatave të shëndetësisë ka protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë, duke shprehur pakënaqësitë e tyre sa i përket propozimit të qeverisë për rritjen e koeficientit që sindikalistët po konsiderojnë të pamjaftueshme.

Kryetarja e kësaj sindikate, Tevide Imeri ka deklaruar se kjo qeveri nuk “dëshiron sindikata, e as dialog social me sindikata”.

“Kjo qeveri nuk dëshiron sindikata, nuk dëshiron dialog social me sindikata, thjesht nuk po i sheh si partnerë për dialog social, por po i sheh si armiq. Na kanë sjellë në këtë situatë pas gjithë kësaj kohe, si federatë që kemi qenë të prirur t’i prijmë dialogut social, kemi dhënë një hapësirë të mjaftueshme që të reflektojnë, megjithatë kjo ministri nuk ka asnjë sinjal se dëshiron të kenë bashkëpunim me sindikatat përgjithësisht“, ka thënë ajo.

Ajo ka kërkuar që të merren parasysh kërkesat e tyre.

“Qenësorja është mbyllja e dialogut social, kontratën kolektive sektoriale të cilën kjo ministri e ka bërë shkëputjen e njëanshme…Megjithatë, këta nuk kanë vullnet të nënshkruajnë kontratën, nuk kanë vullnet të zhvillojnë dialog të shëndoshë social, dëshirojnë dialog që të shkojmë dhe t’i dëgjojmë në vazhdimësi thjeshtë lavdet e tyre të cilat paraqiten. Konsideroj dhe po shpresoj shumë që kjo protestë të jetë e fundit, nga ana e FSShK-së, megjithatë sipas sinjaleve që kemi kjo ministri nuk dëshiron bashkëpunim, prandaj do të na nxjerrë në rrugë, në shi, borë deri në realizimin e gjitha kërkesave të cilat i kemi”, ka shtuar ajo.

Ajo ka theksuar se takimi që kishin me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, “ishte pa sukses”.

Sipas saj, nuk kanë marrë përgjigje konkrete për kërkesat e tyre.

“Kontratën kolektive sektoriale thotë se është një kapitull i mbyllur dhe s’duhet të bisedojmë, dhe kjo ishte çudia pse na kishte thirre në qoftë se është e mbyllur. Kemi biseduar në lidhje me propozimin e qeverisë për rritjen e njësisë për koeficientin në 0.5 për gjashtë muaj, dhe në gjashtëmujorin tjetër 0.5, megjithatë këtu jemi konfuz, nuk i besojmë, besojmë se është premtim i fushatës, për faktin se ndryshimi i koeficienteve bëhet vetëm përmes ndryshimit plotësimit të ligjit të pagave, nuk ka mundësi të bëhet në mënyrë tjetër. Kemi kërkuar në takimin me ministrin të na tregojë mënyrën se si do të bëhet, nuk kanë një përgjigje të saktë, edhe ata janë konfuz për mënyrën se si do të rritet. Jemi shumë skeptik dhe nuk do të ndalemi me protesta. Minimumi i koeficientit duhet të bëhet 2, sidomos tek infermieret dhe stafi mbështetës të cilët kanë pas zbritje në paga, dhe zbritjet e pagave janë duke vazhduar akoma”, ka shtuar Imeri.