Lajme

Ndjekje policore nga Obiliqi deri në Mitrovicë, shoferi nuk iu bind urdhrit – goditi tri herë veturën e Policisë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë natës së 7 shkurtit ka zhvilluar një aksion ndjekjeje, pas tentativës për ndalimin e një automjeti në zonën e Obiliqit.

Sipas njoftimit zyrtar, shoferi i veturës nuk i është bindur urdhrit të policisë për ndalim dhe, duke rrezikuar jetën e zyrtarëve policorë dhe pjesëmarrësve të tjerë në trafik, ka vazhduar lëvizjen në drejtim të Vushtrrisë e më pas në Mitrovicë.

Gjatë ndjekjes, e cila u zhvillua në koordinim mes njësive policore të Obiliqit dhe Njësisë së Trafikut Rrugor të Mitrovicës së Jugut, drejtuesi i automjetit ka goditur tri herë veturën policore në tre lokacione të ndryshme në zonën e Mitrovicës.

Pas një ndjekjeje disa kilometra të gjatë, policia ka arritur ta ndalojë automjetin në fshatin Zupç, në rrugën nacionale Mitrovicë–Zubin Potok, ku janë arrestuar shoferi dhe tre pasagjerët që ndodheshin në veturë.

Si pasojë e incidentit, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime dhe kanë kërkuar trajtim mjekësor.

Me vendim të prokurorit kompetent, ndaj shoferit është caktuar masa e ndalimit policor, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.

Të Ngjashme