LifeStyle

Ndryshimi sezonal dhe ora juaj biologjike: Strategji për të zvogëluar lodhjen

Ka periudha të vitit kur trupi duket se funksionon sipas një kohe të vetën, pak jashtë ritmit të botës përreth. Pranvera është një prej tyre. Ditët zgjaten, drita bëhet më e pranishme, qielli më i kthjellët dhe temperaturat më të buta, por në vend të një vale energjie, shpesh ndiejmë lodhje dhe mungesë fuqie. Kjo që quhet zakonisht “lodhje pranverore” nuk është thjesht perceptim: është pasojë e një procesi të vërtetë fiziologjik.

Trupi drejtohet nga një sistem i ndërlikuar orësh të brendshme, në qendër të të cilit qëndron ritmi cirkadian, që rregullon ciklin 24-orësh të metabolizmit, gjumin, urinë, temperaturën e trupit, prodhimin hormonal dhe reagimin imunitar.

Kur ndryshojnë drita, temperatura dhe ritmi i ditës, ky sistem duhet të rikalibrohet, dhe ky përshtatje nuk ndodh menjëherë: për disa mjaftojnë pak ditë, ndërsa të tjerë kalojnë javë me lodhje, vështirësi përqendrimi dhe luhatje humori. Megjithatë, ky tranzicion mund të mbështetet dhe madje të shndërrohet në një mundësi për të përmirësuar mirëqenien.

Ndërrimi i stinëve ndikon drejtpërdrejt në orën biologjike, e vendosur në bërthamën suprakiasmatike të trurit, e cila merr sinjalet kryesore nga drita që hyn përmes syve. Me rritjen e orëve të ditës, prodhimi i melatoninës bie, ndërsa kortizoli rritet në mëngjes për të nxitur zgjimin. Edhe pse ky është një ndryshim pozitiv, ai mund të çrregullojë përkohësisht ekuilibrin mes gjumit dhe zgjimit. Paralelisht, temperaturat më të buta dhe ndryshimet në lagështi i kërkojnë më shumë punë sistemit kardiovaskular dhe metabolik, ndërsa sistemi imunitar përballet me faktorë të rinj si shtimi i alergjenëve në ajër. Në thelb, trupi po bën një “përditësim” të shumë proceseve njëkohësisht, dhe gjatë kësaj faze performanca mund të duket e ulët.

Përshtatja mund të lehtësohet përmes disa zakoneve të thjeshta, por të qëndrueshme. Ekspozimi ndaj dritës natyrale në mëngjes, edhe për 20 minuta, ndihmon në sinkronizimin e ritmit cirkadian dhe përmirëson cilësinë e gjumit në mbrëmje. Mbajtja e një orari të rregullt gjumi, duke u shtrirë dhe zgjuar në të njëjtën kohë çdo ditë, stabilizon mekanizmat biologjikë më shumë se çdo ndërhyrje tjetër. Edhe ushqyerja luan rol kyç: ngrënia e mëngjesit brenda një ore nga zgjimi dhe shmangia e vakteve të vona ndihmon në harmonizimin e metabolizmit me ritmet ditore. Vaktet e balancuara gjatë ditës dhe ushqimet e pasura me triptofan në mbrëmje mbështesin prodhimin e melatoninës, ndërsa aktiviteti fizik i moderuar në mesditë ose pasdite përmirëson energjinë dhe funksionin muskulor pa ndërhyrë në gjumë.

Vetë pranvera ofron edhe mbështetje ushqyese natyrale. Perimet jeshile si spinaqi, marulja dhe shpargu furnizojnë organizmin me magnez, i domosdoshëm për metabolizmin energjetik. Frutat e pasura me vitaminë C, si luleshtrydhet dhe kivi, ndihmojnë në reduktimin e lodhjes dhe forcimin e imunitetit, ndërsa bishtajoret ofrojnë energji të qëndrueshme falë përmbajtjes së proteinave dhe fibrave. Hidratimi mbetet thelbësor, sepse edhe mungesa e lehtë e lëngjeve mund të ndikojë në përqendrim dhe në perceptimin e lodhjes.
Ky proces nuk është vetëm fizik, por edhe psikologjik. Ndryshimet sezonale ndikojnë në neurotransmetues si serotonina dhe dopamina, që rregullojnë humorin. Rritja e dritës në pranverë stimulon serotoninën, por derisa sistemi nervor të përshtatet, mund të shfaqen luhatje emocionale, nga ndjenja energjie e deri te rënie e motivimit. Shpesh krijohet një gjendje e ndërmjetme, një përzierje dëshire për aktivitet dhe nevoje për pushim. Pranimi i këtij ritmi tranzitor është i rëndësishëm: nuk është e nevojshme të arrihet menjëherë forma maksimale.

Praktika të thjeshta si momentet e vetëdijshme të pushimit, meditimi apo qëndrimi në natyrë ndihmojnë në uljen e stresit dhe në balancimin e trupit me mendjen. Edhe kontakti social ka ndikim të drejtpërdrejtë, pasi aktivitetet në grup dhe koha në ambient të hapur nxisin çlirimin e hormoneve që përmirësojnë humorin dhe reduktojnë ndjesinë e lodhjes, duke e bërë këtë periudhë jo vetëm të përballueshme, por edhe të dobishme për një rifillim më të shëndetshëm.

Të Ngjashme