Dikush zgjohet në mëngjes dhe, përpara se të kuptojë si ndihet, hap telefonin. Një dorë lëviz ekranin mekanikisht, mes imazheve të jetëve të tjera që duken gjithmonë pak më të qeta, pak më të bukura, pak më të lumtura. Kafe të përkryera, pushime pa rrudha, buzëqeshje të kapura në çastin e duhur. Në heshtje lind një ndjesi e paemërtuar, jo domosdoshmërish trishtim, por një mospërputhje e lehtë mes asaj që shihet dhe asaj që përjetohet. Lumturia na shfaqet si një detyrim i heshtur, si një standard që duhet arritur, matur dhe ekspozuar. Në këtë peizazh të përditshëm, pyetja nuk është më “a jam i lumtur?”, por “pse nuk jam aq i lumtur sa duhet?”.
Në jetën bashkëkohore, lumturia është kthyer në një standard të padukshëm, por të gjithëpranishëm. Nuk na kërkohet më vetëm të funksionojmë, të përballojmë apo të mbijetojmë, por të ndihemi mirë ndërkohë. Të jemi produktivë dhe të qetë, të suksesshëm dhe të balancuar, të lodhur por mirënjohës. Kjo pritshmëri e vazhdueshme e një gjendjeje pozitive e zhvendos lumturinë nga një përvojë e brendshme në një kriter vlerësimi, ku çdo devijim perceptohet si problem personal. Kështu, në vend që të na afrohet, lumturia fillon të na vështrojë nga larg, si një objekt që duhet arritur.
Në 20 Mars, Organizata e Kombeve të Bashkuara shpalli në vitin 2012 Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë, e cila në fakt u festua për herë të parë një vit më vonë, në 2013, si një përpjekje për ta vendosur mirëqenien njerëzore në qendër të zhvillimit global. Zgjedhja e 20 Marsit nuk ishte rastësore. Ajo përkon me ekuinoksin e pranverës, një moment simbolik ekuilibri mes dritës dhe errësirës, që pasqyron idenë e një jete të balancuar. Nisma u frymëzua nga koncepti i “Lumturisë Kombëtare Bruto”, i promovuar prej dekadash nga Mbretëria e Butanit, si një kundërpeshë ndaj matjeve thjesht ekonomike të progresit.
Megjithatë, ndërsa kjo datë na fton çdo vit të reflektojmë mbi rëndësinë e lumturisë, paradoksi i kohës sonë qëndron në faktin se ajo është shndërruar nga një përvojë njerëzore në një standard shoqëror dhe një detyrim të heshtur. Pikërisht këtë vë re dhe psikologjia. Studimet e Iris Mauss, psikologe sociale, tregojnë se individët që e idealizojnë lumturinë dhe e shohin atë si kusht për një jetë të vlefshme, janë më të prirur të përjetojnë zhgënjim dhe ankth. Kur lumturia kthehet në qëllim obsesiv, vëmendja jonë zhvendoset nga përvoja reale drejt vetë-monitorimit: si po ndihem tani, a është kjo mjaftueshëm mirë, pse nuk po ndihem më i lumtur? Në këtë proces, emocionet humbasin spontanitetin dhe kthehen në prova që duhet të kalohen. Një nga keqkuptimet më të rrënjosura është ideja se një jetë e mirë është një jetë pa emocione të vështira. Në realitet, përvojat njerëzore janë ciklike dhe të larmishme. Trishtimi, pasiguria dhe zhgënjimi nuk janë shenja dobësie, por reagime të natyrshme ndaj jetës. Susan David, psikologe dhe autore, thekson se aftësia për të qëndruar me emocionet e pakëndshme, pa i shtypur apo idealizuar, është një nga treguesit kryesorë të mirëqenies psikologjike. Kur përpiqemi të shmangim çdo ndjenjë negative, humbasim kontaktin me veten dhe e bëjmë lumturinë më të paarritshme.
Në përditshmëri, presioni për t’u ndierë mirë shpesh ushqehet nga bindja se lumturia vjen nga jashtë, nga arritjet, marrëdhëniet, statusi apo miratimi i të tjerëve. Megjithatë, psikologu Daniel Kahneman ka treguar se njerëzit mbivlerësojnë ndikimin afatgjatë të ngjarjeve të mëdha në gjendjen e tyre emocionale. Pas një kohe të shkurtër, edhe ndryshimet më të mëdha humbasin intensitetin e tyre emocional dhe ne rikthehemi në një nivel të njohur mirëqenieje. Ky mekanizëm, i njohur si përshtatje hedonike, na shtyn drejt një ndjekjeje të vazhdueshme, ku kënaqësia gjithmonë zhvendoset pak më përpara.
Në këtë rrugëtim, shpesh harrohet dimensioni relacional i lumturisë. Studimet afatgjata mbi zhvillimin njerëzor tregojnë se ajo që i jep qëndrueshmëri mirëqenies nuk janë momentet e jashtëzakonshme, por marrëdhëniet e sigurta, ndjesia e përkatësisë dhe mundësia për të qenë autentik me të tjerët. Në një shoqëri që nxit vetëmjaftueshmërinë dhe performancën individuale, kjo e vërtetë duket pothuajse kundërintuitive. Një qasje më e butë ndaj lumturisë e sheh atë jo si një qëllim për t’u arritur, por si një përvojë që lind në mënyrë indirekte, kur jeta jetohet me kuptim. Filozofi Viktor Frankl argumentonte se kuptimi, dhe jo kënaqësia, është motivuesi themelor i qenies njerëzore. Kur fokusi zhvendoset nga ndjekja e ndjesive pozitive drejt ndërtimit të një jete që përputhet me vlerat tona, lumturia shfaqet pa u kërkuar, si një pasojë e natyrshme. Ndoshta sfida më e madhe e kohës sonë nuk është të jemi më të lumtur, por të jemi më të ndershëm me përvojën tonë. Lumturia nuk është një gjendje konstante, por një marrëdhënie e gjallë me realitetin, që përfshin edhe momentet e pasigurta, të heshtura apo të vështira. Kur i japim vetes leje të mos jemi gjithmonë mirë, krijojmë paradoksalisht më shumë hapësirë për një mirëqenie reale, të qëndrueshme dhe thellësisht njerëzore.
