Lajme

Në Mitrovicë përkujtohet 27-vjetori i vrasjes së Latif Berishës dhe Agim Hajrizit

Në 27-vjetorin e vrasjes së veprimtarëve Latif Berisha dhe Agim Hajrizi, në Mitrovicë është mbajtur akademi përkujtimore, ku u theksua roli i tyre në rezistencën kombëtare dhe sakrifica për lirinë e Kosovës.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, tha se Mitrovica dhe veriu i Kosovës historikisht kanë qenë zona të goditura nga politika shtypëse dhe kolonizuese.

Ai kujtoi se në periudhën e luftës, figura të njohura kombëtare u bënë cak i regjimit serb.

“Në ditë kur po goditeshin caqet ushtarake dhe paramilitare që ishin shkaktarë për krime makabre dhe gjenocidin mbi popullin shqiptar të pafajshëm të Kosovës, cak i Sllobodan Millosheviqit ishin profesor Latif Berisha dhe Agim Hajrizi në Mitrovicë, sikurse që ishte Bajram Kelmendi në Prishtinë. Sot jemi mbledhur këtu në këtë akademi përkujtimore me respekt dhe përulësi për të kujtuar dhe nderuar jetën e dy figurave dhe kolosëve të paepur të çështjes kombëtare. Kur përmendim emrat e tyre, nuk kujtojmë vetëm me krenari kontributin e tyre ndaj atdheut, por njëkohësisht kujtojmë dy figura frymëzuese për brezat e atëhershëm dhe të tashëm, si dhe ngritjen e ndërgjegjes kombëtare për liri dhe atdhedashuri”- tha Peci

Peci foli edhe për kontributin e profesor Latif Berishës dhe ndikimin e tij në breza.

Ai ndau edhe një kujtim personal për figurën e Berishës.

“Shoqëria dhe të afërmit e tij e përshkruanin si një njeri të jashtëzakonshëm që nuk urrente, nuk kishte hidhërim e as zili. Gjithmonë gëzohej për suksesin e të tjerëve dhe miqve të tij. Po e ndaj një moment kur unë si fëmijë kam pasur rastin ta takoj Latif Berishën në afërsi apo para shtëpisë së tij, që ishte fqinj me gjyshin tim nga dajët. Më kujtohet figura e tij me këmishën e bardhë e zemrën bujare, teksa bisedonte me babin tim. Qasja e tij për mua ka lënë përshtypje edhe sot, e kujtoj atë takim aq të ngrohtë e aq miqësor, me mesazhin që na u drejtonte neve”- tregoi ai

Për figurën e Agim Hajrizit, Peci tha se eliminimi i tij ishte i qëllimshëm.

“Një ndër figurat tjera që ishte ikonë e qytetit, e veprimtarisë patriotike dhe atdhedashurisë, është edhe figura e Agim Hajrizit, i cili ishte cak i eliminimit dhe likuidimit fizik në Mitrovicë, bashkë me profesor Latif Berishën. Këto nuk ishin të rastësishme, pasi u likuiduan për vetë veprimtarinë e tyre, por edhe për faktin se ishin të Mitrovicës.”- poteoncoi kryetari Faton Peci

Peci, e përshkroi Hajrizin si udhëheqës të kolonës studentore të vitit 1981, kryetar të Kuvendit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe drejtues të organizimit komunal në Mitrovicë gjatë viteve ’90.

“Agimi kishte një karakter të përkushtuar ndaj çlirimit kombëtar dhe zhvillimit të vetëdijes qytetare. Në lëvizjen studentore të vitit 1981 ishte njëri nga udhëheqësit e kolonës studentore. Një sindikalist i paepur, kryetar i Kuvendit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, kryetar i organizimit komunal në Mitrovicë në vitet ’90, burrë i përkushtuar, baba e bashkëshort i përkushtuar, mik i sinqertë, por mbi të gjitha aktivist i palodhshëm për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës. Me fjalë të tjera, një personalitet i jashtëzakonshëm. Sikurse edhe paraardhësit e tij që ishin të përndjekur dhe të dëbuar nga Toplica, regjimi serb vazhdimisht e kishte në lupën e tij, duke e përndjekur, rrahur e kërcënuar Agim Hajrizin, por ai nuk u ndal asnjëherë me veprimtarinë e tij. Askush dhe asgjë nuk mundi ta shuante guximin, vendosmërinë dhe idealin e tij në rrugën e vështirë e me shumë sakrifica, duke besuar fort në arritjen e përpjekjeve shekullore për çlirimin e popullit të Kosovës”- shtoi ai

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se vrasja e tyre ndodhi në një moment kyç historik.

“Më 24 mars 1999, në një moment vendimtar e historik për Kosovën, Mitrovica humbi dy figurat qendrore të jetës së saj publike: poetin dhe atdhetarin Latif Berisha dhe veprimtarin sindikal e atdhetarin Agim Hajrizi, bashkë me nënën e tij Nazlije dhe djalin Ilirin. Vrasja e tyre nga regjimi gjenocidal ndodhi në një kohë kur dhuna po arrinte kulmin dhe ndërhyrja e NATO-s kishte filluar ta ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve, por mbi të gjitha të ndryshonte rrjedhën e historisë. Ky është konteksti në të cilin duhet të kuptohet edhe pesha e humbjes së tyre. Mitrovica nuk ishte një qytet periferik në historinë e rezistencës së Kosovës; ishte qyteti që vazhdimisht bënte historinë, ishte qyteti i minatorëve ku kundërshtimi ndaj regjimit shtypës jugosllav u artikulua herët dhe në mënyrë të organizuar, nëpërmjet atdhetarëve si Agim Hajrizi dhe Latif Berisha, nëpërmjet veprimtarëve që u rreshtuan mbrapa presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, nëpërmjet djemve e vajzave më të mirë të këtij kombi që i dolën zot atdheut duke luftuar për çlirimin e Kosovës. E nëpërmjet minatorëve të cilët u bënë simbol, duke organizuar një ndër aktet më të qarta të refuzimit politik dhe qytetar ndaj shtypjes dhe regjimit serb. Në këtë mjedis, fjala dhe veprimi kanë funksionuar së bashku”-tha ajo

Presidentja Osmani foli edhe për kontributin e dy figurave në dimensione të ndryshme të rezistencës.

“Profesor Latif Berisha i përket një brezi që, përtej angazhimit të pandalshëm politik për lirimin e Kosovës, po ashtu e përdori letërsinë si formë të ndërgjegjësimit kombëtar. Poezia e tij nuk është shkëputur asnjëherë nga realiteti, por ishte e lidhur ngushtë me të. Vargu i tij ‘3 gota’, që sapo u lexua nga kryetari i Mitrovicës, na lexohej vazhdimisht si në shtëpi ashtu edhe në shkollë dhe portretizonte atë që kalonim ne që u rritëm në Mitrovicë, por edhe për secilin qytetar të Kosovës, anë e kënd vendit tonë, pra e hidhët dhe e ëmbël, ashtu siç është kjo botë”- tregoi presidentjs e Kosovës Vjosa Osmani

Në këtë akademi përkujtimore, vajza e profesor Latif Berishës, Fatmire Latif Berisha, nënvizoi rëndësinë e ditës dhe kontributin e figurave që po përkujtoheshin.

Fatmire Latif Berisha: Këta dy veprimtarë kanë pasur dashuri, përkushtim dhe normalisht kanë dhënë edhe kontributin e tyre

“Këta dy veprimtarë kanë pasur dashuri, përkushtim dhe normalisht kanë dhënë edhe kontributin e tyre. Me vetë faktin që hapësirat ku sot po i përkujtojmë në këtë akademi janë të përmbushura, është e vërtetë që kjo është një ditë e lumtur për të gjithë ne, nga se ideali i gjithë atyre që sakrifikuan për vendin e tyre është përmbushur. Dhe në përmbushjen e tij, normalisht, gjithmonë e mira nuk kufizohet, ajo ka një shtrirje më të gjerë dhe besoj që e kemi marrë drejtimin e duhur për t’i çuar të gjitha këto angazhime në vendin e duhur”- ka thënë Berisha

Ajo shtoi se dhimbja personale nuk e ndalonte përkujtimin e sakrificave të shumë familjeve të tjera.

“Sot, sikurse jam pak më shumë e shkarkuar nga ajo ndjenjë e dhimbjes, normalisht jo vetëm për këto dy familje që po përkujtohen sot, por edhe për shumë familjarë të tjerë që dhanë të dashurit e tyre për të realizuar idealin, sepse në këtë ditë u dha edhe një lajm që ne e kemi mirëpritur: se shtëpia që për 27 vite me radhë i qëndroi kohës, më në fund ka marrë drejtim dhe ajo do t’i kthehet jetës së saj. Kthimi i këtij objekti dhe restaurimi i tij në atë pjesë të qytetit të Mitrovicës është një porosi dhe është i rëndësishëm në mënyrë të veçantë”- tha ajo

Në ceremoni përkujtimore në Mitrovicë, Arianit Hajrizi, djali i veprimtarit të ndjerë Agim Hajrizi, mbajti fjalën e tij duke nënvizuar rëndësinë e kujtesës historike dhe sakrificës së familjes së tij për lirinë e Kosovës

“Nderimi juaj nuk na nderon vetëm ne si familje; me këtë nderim ju e nderoni vetveten tuaj, sepse kur nderohet sakrifica e tyre që për asnjë moment nuk menduan për veten e tyre, por vetëm për ditën kur ju dhe familjet tuaja do të ishit të lirë, atëherë nderohet vetë dinjiteti i një populli. Ata dhanë gjithçka që sot të ecim të lirë nëpër rrugët tona, pa frikë, pa kërcënim, pa padrejtësi. E sot vijmë këtu me dhimbje, por edhe me zemër plot, sepse liria për të cilën ata ranë jeton ende me ne. Historia e familjes sonë nuk është vetëm e jona, është e të gjithë juve, dhe pesha e kësaj historie sot është më e lehtë, sepse atë peshë e mbajmë së bashku. Populli ka kaluar nëpër robëri të shumta, por një gjë nuk u robërua – ajo ishte zemra shqiptare; ajo mbeti gjithmonë e lirë, ashtu si emri i heroit tonë Ilirit. Dhe unë pyes sot: a nuk e meriton Iliri që emri i tij të jetojë në shkollën ku ai dikur ulej në bankë, që çdo fëmijë që hyn aty ta dijë që liria që gëzon sot ka një emër? Për 26 vjet nxënësit e asaj shkolle nuk e dinë që në korridoret e saj kanë ecur këmbët e një dëshmori të vogël. Historia nuk guxon të harrohet, sepse historia që harrohet përsëritet”-tha ai

Ai u ndal edhe te sakrifica e babait dhe të familjes së tij

“Po sakrifica e Agimit? A nuk e meriton ai që në Mitrovicën tonë të ngrihet një lapidar me emrin e tij dhe atë liri që ai dhe shokët e tij ia lanë trashëgim edhe fëmijëve të atyre që deri sot kanë heshtur? A nuk meriton ai të jetë në listat e heronjve të kombit, pasi që sakrifikoi familjen për këtë vend? Por shtëpia e Latif Berishës, a e meritoi që për 27 vite të jetë e shkretë e në gërmadha? Po nëna, ajo burrneshë që doli përpara e mori plumbat në gjoks për të mbrojtur pragun, djalin dhe nipin e saj – nëna Nazmije. Por pas çdo sakrifice mbetet një qëndresë që vazhdon çdo ditë: nëna Afërditë, ajo që jeton me mungesën, por edhe me krenarinë. E sa nëna Afërdita jetojnë mes nesh sot, në heshtje, por me zemër të fortë. Prandaj unë ju thërras sot që të mos harrojmë historinë, të mos e heshtim sakrificën, sepse dëshmorët nuk vdesin vetëm njëherë; ata vdesin për së dyti atëherë kur harrohen”-theksoi ai

Në përmbyllje, Hajrizi lexoi fjalën e fundit të babait të tij nga ditari i tij në vitin 1998

“Tani dua të lexoj fjalën e fundit që Agimi e shënoi në ditarin e tij, në një nga udhëtimet e shumta që bënte në botë për të treguar vuajtjen e popullit të tij:

‘Ato bukuri që i pashë këtu, të shoqëruara me tinguj solemnë, zgjuan thellë ndjenjat dhe emocionet e forta për historinë ndaj popullit tim shqiptar, pasardhës i ilirëve, një nga popujt më të lashtë të Ballkanit dhe më gjerë, me gjuhë indoevropiane dhe me identitet të qëndrueshëm ndër shekuj. Populli shqiptar ka dhënë shumë për qytetërimin evropian, por në këmbim është përbuzur, është shkelur dhe ka vuajtur në gjithë historinë e tij. Edhe sot, në shekullin e 21-të në të cilin po hyjmë, populli shqiptar i Republikës së Kosovës vazhdon të jetë i okupuar, i shtypur dhe i privuar nga liria. Evropa po harron që ky popull është pjesë e saj dhe po hesht përballë kësaj padrejtësie. Megjithatë, ne besojmë që drejtësia dhe e vërteta do të triumfojnë. Besojmë në Zotin e madhërishëm, që është një për të gjithë njerëzimin, dhe shpresojmë që ai do të çlirojë jo vetëm shqiptarët, por të gjithë ata që jetojnë në botë pa liri. Me shpresë të thellë që lutjet njerëzore do të jenë gjithmonë në anën e drejtësisë dhe lirisë. Edhe nëse unë vetë nuk mund ta gëzoj këtë liri, kam besim që ajo do t’u takojë brezave që vijnë.’Zoti ju bekoftë,Agim Hajrizi, 1998, Bruksel, Belgjikë.”- përfundoi ai

Latif Berisha dhe Agim Hajrizi u vranë më 24 mars 1999 nga forcat serbe, në ditën e parë të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe.

Të Ngjashme