Nga Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor, Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, njoftoi se Kosova është gati të lansojë në nëntor platformën kombëtare të identitetit elektronik (e-ID).
Kjo platformë shënon një hap të rëndësishëm drejt identifikimit të sigurt elektronik dhe zgjerimit të mundësive për qasje në shërbime digjitale.
Në kuadër të diskutimit me temën “Digital Identity, AI and Proactive Public Services”, ministri Lulëzon Jagxhiu prezantoi progresin e Kosovës në transformimin digjital dhe hapat e ardhshëm drejt një qeverisjeje më efikase dhe më të orientuar drejt nevojave të qytetarëve.
Ministri theksoi se Kosova tashmë ka ndërtuar një bazë të rëndësishme digjitale. Platforma eKosova ofron mbi 330 shërbime dhe ka më shumë se 1.2 milion përdorues të regjistruar, ndërsa platforma e interoperabilitetit mundëson shkëmbimin e të dhënave ndërmjet institucioneve.
Me zhvillimin e eKosova 2.0, që tashmë është duke avancuar, synohet të shtohen 400 shërbime të reja dhe të integrohen funksionalitete të reja, përfshirë ato të bazuara në inteligjencë artificiale.
Sipas tij, transformimi digjital nuk matet vetëm me numrin e shërbimeve online. Jagxhiu tha se përmes shërbimeve të bazuara në ngjarje jetësore, po punohet që qytetarët të mos kenë nevojë të kenë interaksion me shumë institucione për të realizuar shërbime që ndërlidhen me një ngjarje jetësore. Synimi është të ofrohen shërbime të integruara, proaktive dhe të personalizuara që në qendër e kanë qytetarin dhe nevojat e tij, pavarësisht organizimit dhe përgjegjësive të institucioneve që janë pronare të atyre shërbimeve.
Një tjetër hap i rëndësishëm është platforma kombëtare e identifikimit elektronik, e cila do të mundësojë autentikim të sigurt, nënshkrim elektronik dhe kuletë digjitale – që forcojnë themelet e besimit në transaksionet dhe ndërveprimet digjitale. Paralelisht, po investohet në infrastrukturën e qeverisjes së të dhënave, shkëmbimin e sigurt të tyre dhe krijimin e kontekstit për përdorimin më të gjerë të inteligjencës artificiale në administratën publike, tha ai.
Ministri Jagxhiu, u shpreh se qëllimi është i qartë: jo vetëm të vendosen shërbimet online, por të bëhet qeverisja më e thjeshtë, më efikase dhe më e përgjegjshme ndaj qytetarëve. Kjo kërkon teknologji të besueshme, siguri kibernetike dhe përdorim të përgjegjshëm të inteligjencës artificiale.
