Histori

Në përkujtim të Dr. Ibrahim Rugovës: Një figurë e pazëvendësueshme politike e historike në Kosovë

Më 21 janar 2006, Kosova humbi një nga figurat më të shquara të saj politike dhe simbolin e rezistencës paqësore ndaj pushtimit.

Ibrahim Rugova, presidenti i parë i Kosovës dhe udhëheqësi i lëvizjes për pavarësi, ndërroi jetë, duke lënë pas një trashëgimi të thellë politike dhe morale.

Vdekja e tij shënoi një pikë të rëndësishme në historinë e Kosovës, duke sjellë reflektim mbi rrugën e gjatë drejt lirisë dhe rëndësinë e dialogut paqësor në arritjen e qëllimeve kombëtare.

Shahu: Rugova mbetet figurë e pazëvendësueshme, simbol i guximit politik

Image
Rexhep Shahu

Opinionisti dhe gazetari i asaj kohe, Rexhep Shahu, kujton Ibrahim Rugovën si arkitektin e Kosovës moderne, që e ndërtoi shtetin përmes sakrificës dhe përkushtimit qytetar, promovoi paqen dhe pavarësinë, dhe e integroi Kosovën në demokraci dhe aleanca perëndimore, duke mos pasur armiq personalë, vetëm për Kosovën.

“Adhurimi i vazhdueshëm për Ibrahim Rugovën, edhe nga breza që nuk e kanë njohur personalisht, buron nga roli i tij unik në krijimin e shtetit të Kosovës. Rugova e ndërtoi Kosovën fillimisht si “shtet në mendjen e njerëzve”, duke e mbajtur gjallë përmes organizimit, sakrificës dhe përkushtimit qytetar, sidomos në arsim, shëndetësi dhe funksionimin institucional.

Me filozofinë e tij paqësore, qëndrimin e palëkundur për pavarësi dhe orientimin perëndimor, ai bindi botën se Kosova i përket demokracisë dhe aleancës me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n. Rugova nuk pati armiq personalë, por vetëm armiq të Kosovës, dhe refuzoi kompromiset që cenonin pavarësinë”, thotë ai.

Shahu përshkruan Rugovën si arkitekt të shtetformimit të Kosovës, që qëndroi i palëkundur në kërkesën për pavarësi dhe mbetet simbol i guximit politik, vizionit shtetëror dhe unitetit kombëtar.

“Ai ishte arkitekti i proceseve kyçe shtetformuese, nga Deklarata e 2 Korrikut, Kushtetuta e Kaçanikut, deri te zgjedhjet pluraliste. Nuk polemizoi, nuk u fsheh dhe nuk hoqi dorë kurrë nga kërkesa e panegociueshme për Kosovën e lirë dhe të pavarur.

Për këto arsye, Rugova mbetet figurë e pazëvendësueshme, simbol i guximit politik, vizionit shtetëror dhe unitetit kombëtar, i pranishëm edhe sot në vetëdijen kolektive të Kosovës”, nënvizon ai.

Tahiraj: Ai ishte busulla që e drejtoi popullin shqiptar kah Perëndimi dhe SHBA-të

Me rastin e përvjetorit të ish-preisidentit Ibrahim Rugova, veprimtari Saim Tahiraj, thekson se ai ishte shpëtimtari i kombit shqiptar, një udhëheqës me vizion dhe mençuri profetike që e drejtoi popullin drejt Perëndimit dhe SHBA-ve, arriti të unifikojë shqiptarët dhe ruajti paqen duke shmangur një luftë vëllavrasëse. Ai krahasohet me figurat historike si Gjergj Kastrioti dhe Rilindasit shqiptarë.

Image
Saim Tahiraj

“Populli ynë pati fatin e madh që, në momentet më të vështira, kur rrezikohej vetë qenia jonë kombëtare, Zoti t’ia dërgonte një profet të ri, ashtu siç ia kishte dërguar shekuj më parë Gjergj Kastriotin. Me urtësinë e tij profetike, me vizionin dhe largpamësinë thuajse hyjnore, ai u bë – dhe do të mbetet përgjithmonë – shpëtimtari i qenies sonë kombëtare. Ai ishte busulla që e drejtoi popullin shqiptar kah Perëndimi dhe SHBA-të, duke e rreshtuar aty ku shqiptarët historikisht e kanë pasur vendin dhe sigurinë.

Ai vazhdoi rrugën e Gjergj Kastriotit, të Pjetër Bogdanit dhe të Rilindasve tanë, duke dëshmuar se “Dielli për shqiptarët lind gjithmonë në Perëndim”. Kjo ishte rruga e vetme drejt lirisë së popullit shqiptar dhe pavarësisë së shtetit të Kosovës. Me mençurinë e tij profetike, ai arriti të krijojë miqësi të mëdha dhe të bindë botën demokratike perëndimore – sidomos SHBA-të – që të mbështesin aspiratat tona për liri dhe shtet.

Për herë të parë në historinë moderne, populli shqiptar u orientua qartë drejt atij horizonti ku i takonte natyrshëm. Sepse tragjeditë tona shekullore na kanë mësuar se nga Lindja kemi përjetuar vetëm terror, gjenocide, humbje territoresh dhe rrezik të shfarosjes. Po të mos ishte ndërhyrja e Austrisë në të kaluarën dhe e SHBA-ve në kohët moderne, sot ndoshta nuk do të ekzistonim si komb. Këtu qëndron profecia e Rugovës së madh: rreshtimi i drejtë, aty ku ishte edhe shpëtimi ynë kombëtar.

Një tjetër cilësi profetike e tij ishte aftësia për ta unifikuar popullin shqiptar si kurrë më parë, pavarësisht rrymave të brendshme të frymëzuara nga ideologji lindore që e luftonin pa mëshirë. Edhe pse u sulmua, u fye me epitetet më të ulëta dhe iu vranë bashkëpunëtorët më të afërt, ai ruajti qetësinë dhe mençurinë e tij, duke e shpëtuar vendin nga një luftë vëllavrasëse. Vetëm një njeri me fuqi profetike mund të arrinte një gjë të tillë”, foli ai.

Sot, Tahiraj thekson se gjendja e rëndë në Kosovë, me theks të veçantë, depërtimi i ideologjive të huaja përmes Islamit Politik, polarizimi i shoqërisë, korrupsioni, rënia e arsimit dhe shëndetësisë, si dhe shkeljet e Kushtetutës, tregon sa shumë mungon vizioni i Rugovës.

Ai thotë se shoqëria ka nevojë për një rilindje kombëtare me filozofinë rugoviane në ballë, si garanci e ekzistencës së shtetit dhe popullit, dhe se kjo duhet të bëhet me vepra konkrete, jo fjalë boshe.

“Sot, kur shohim gjendjen e rëndë në Kosovë – depërtimin e ideologjive të huaja lindore përmes Islamit Politik, të cilat synojnë shkatërrimin e identitetit tonë kombëtar; polarizimin ekstrem të shoqërisë nga partitë politike; si dhe prishjen e marrëdhënieve me miqtë tanë ndërkombëtarë, marrëdhënie që Rugova i ndërtoi me aq mund dhe urti – e kuptojmë më dhimbshëm se kurrë sa shumë na mungon vizioni i tij.

Kur shohim se degjenerimi shoqëror ka arritur kulmin, duke u larguar skajshmërisht nga rruga që filloi, ndërtoi dhe ua la amanet brezave të ardhshëm presidenti Rugova, bëhet e qartë rreziku i madh që po i kanoset shoqërisë dhe shtetit. Korrupsioni, hajnia, rënia e nivelit të arsimit dhe shëndetësisë, shkeljet e vazhdueshme të Kushtetutës, devijimi nga shteti laik, futja e Islamit Politik në institucionet shtetërore dhe, së fundi, vjedhja masive e votës – e drejtë elementare e qytetarëve, madje edhe brenda llojit të vet – janë faktorët më të rrezikshëm që po shkatërrojnë etikën shoqërore dhe themelet e shtetit.

Duke u nisur nga këto fakte, dhe nga shumë të tjera që nuk po i ceku, shihet qartë se sa i nevojshëm është sot vizioni politik dhe shoqëror i presidentit Rugova. Kësaj shoqërie që po shkon drejt degjenerimit absolut i duhet një figurë e tillë. Sepse një shoqëri e degjeneruar nuk ka të ardhme; ajo është e destinuar të fundoset përfundimisht.

Na duhet një rilindje kombëtare me filozofinë rugoviane në ballë, si i vetmi shpëtim. Vetëm rruga që nisi dhe ndërtoi Profeti Rugova është garancia e ekzistencës sonë si popull dhe si shtet. Prandaj, duhet t’i kthehemi kësaj rruge me vepra konkrete, e jo me fjalë boshe” – përfundon ai.

Të Ngjashme