Lajme

Në vendin e rezistencës, zbulohet pllaka përkujtimore në Prishtinë

Bashkë u bën pas 45 vitesh.

Por, ndryshe nga pranvera e vitit 1981, këtë herë u takuan në legalitet.

Janë këta ish-të burgosurit politik, që të enjten u mblodhën në shtëpinë e veprimtarit, Zijadin Hoxha në “Kodrën e Trimave” në kryeqytet.

Krejt kjo me rastin e shënimit të 45 vjetorit të “Pranverës Shqiptare 1981”.

Fjalën i pari e mori vet nikoqiri.

“Kjo shtëpi në fakt ka qenë çerdhe e ilegalitetit , kanë kalua shumë njerëz në këtë shtëpi deri, por deri sot nuk është identifikua, është një ditë e shënuar sot, 2 prilli është 45 vjetori i demonstratave të 81shit. Kemi marrë pjesë në demonstratat e Besisë ku është rrëmbyer  armatimi i rezervistëve të armatimit serb që kanë ardhë në përforcim për me i shua demonstratat në Prishtinë”, tha Zijadin Hoxha, ish-i burgosur politik.

E kjo shtëpi, dy dekada më pas, u bë çerdhe edhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Kjo është nder edhe për mu edhe për familjen, por në njëfarë mënyre edhe për shoqërinë edhe për lagjen . Gjithashtu edhe në vitin 1999 brigada 153 që ka hy në Prishtinë nga ana e Gollakut në këtë anë ushtarët së pari kanë hy në shtëpinë time dhe këtu është vendos pushka metrolezi kundër okupatorit serb”, rrefen Hoxha.

E pikërisht për angazhimin e tij në krejt këto ngjarje, të enjten u zbulua edhe kjo pllakë përkujtimore për veprimtarin Zijadin Hoxha.

Fjalë të mëdha për Hoxhën, kishin ish-bashkëveprimtarët.

“Para 45 vitesh ai nuk qëndroi  si spektator por doli në ballë të demonstratave, së bashku me shokët e tij dolën që të kërkonin atë që i takonte popullit tonë, lirinë dhe dinjitetin, për këtë guxim dhe për këtë zë  ai u dënua me 15 vjet burg, edhe pse u lirua nga burgu në prill të vitit 90të nuk qëndroi asnjëherë duar kryq”, tha Bejtullah Tahiri-aktivist i njohur i çështjes kombëtare.

“Sot jemi mbledhur këtu me ndjenjë të thellë respekti, dhe përulje për të vendosur këtë pllakë përkujtimore në këtë shtëpi që dikur ishte vatër e veprimtarisë patriotike dhe që sot bëhet simbol i kujtesës sonë kolektive. Kjo shtëpi nuk është vetëm një objekt ajo është dëshmi e një kohet kur liria nuk ishte e dhënë ende por një ëndërr që kërkonte guxim, sakrificë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm”, thotw Fatmir Sopi- nënkryetar i OVL-UÇK-së.

Ndërsa gjatë të enjtes, Shoqata e të Burgosurve Politik, për shënimin e ngjarjeve të vitit 1981, mbajti edhe aktivitete të tjera.

Të Ngjashme