Në prag të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valon Murtezaj u është drejtuar anëtarëve të LDK-së dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës me një mesazh të fuqishëm për respektimin e historisë, sakrificës dhe vlerave demokratike.
Murtezaj theksoi përkushtimin për ruajtjen e lirisë, demokracisë dhe zbatimin e plotë të statutit të LDK-së, sipas frymës së themeluesit Ibrahim Rugova. Ai shprehu shqetësim për mungesën e vendimmarrjes në dy organet kryesore të partisë – Këshillin e Përgjithshëm dhe Kuvendin – për më shumë se 20 muaj.
Gjatë kësaj periudhe, në Kosovë janë mbajtur katër palë zgjedhje, ndërsa vendi ka kaluar mbi një vit pa institucione me kompetenca të plota, çka ka ndikuar negativisht në jetën politike dhe institucionale.
Murtezaj garantoi se ndërgjegjja, përvoja dhe integriteti i tij nuk do të komprometohen nga prirje autokratike, korrupsion apo ambicie egoiste për pushtet, duke u zotuar për rikthimin dhe forcimin e normave demokratike.
Postimi i plotë:
Të nderuara Anëtare dhe Anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Të nderuar bashkëqytetarë të Republikës së Kosovës, Në vigjilje të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke kujtuar dhe respektuar historinë tonë të lavdishme të atdheut tonë Kosovës, me nderimin më të thellë për kontributin e brezave, për liri, pavarësi e demokraci në Kosovë, dhe vetëmohimin deri në flijim, do të përkushtohem që liria dhe demokracia, dhe normat e statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës të Ibrahim Rugovës të respektohen dhe zbatohen me vërtetësi dhe integritet.
Ky takim vjen pas 20 muajve të mungesës së plotë të vendim-marrjes në dy organet kryesore dhe të vetme ku merren vendimet kryesore në Lidhjen Demokratike të Kosoves (Këshilli i Përgjithshëm dhe Kuvendi).
Gjatë kësaj periudhe në Kosovë ka pasur 4 palë zgjedhje (dy nacionale, dhe ato lokale me dy raunde), dhe mbi një vit pa institucione me kompetencë të plotë të Republikës së Kosovës.
Dua të ju sigurojë që ndërgjegja ime, përvoja jetësore dhe integriteti, nuk do të pushtohen kurrë nga prirja autokratike, mentaliteti korruptiv apo profiterizmi egoist, apo nga pasionet destruktive për pushtet.
Angazhohem që koha që vjen të ketë norma demokratike.
Demokracia marshon dhe atë nuk mund ta ndalë askush.
Për liri dhe demokraci, gjithmonë.
Me përzemërsi.
