LifeStyle

Nëna e Diddy-t sulmon Netflix-in: Gënjeshtër që djali im më goditi me shuplakë

Nëna e Sean “Diddy” Combs, Janice Combs, ka reaguar ashpër ndaj dokumentarit të ri të Netflix, “Sean Combs: The Reckoning”, duke e cilësuar si të mbushur me “pasaktësi dhe gënjeshtra” rreth jetës familjare të artistit.

Image

Në një deklaratë për Deadline, Combs mohoi kategorikisht pretendimin e ish-ekzekutivit të Bad Boy Records, Kirk Burroughs, i cili në dokumentar thotë se Diddy e kishte goditur nënën e tij me shuplakë pas incidentit tragjik në Kolegjin e Qytetit të Nju Jorkut në vitin 1991.

“Pretendimet e z. Burroughs janë plotësisht të rreme. Qasja e Netflix është skandaloze”, është shprehur Janice Combs, duke shtuar se dokumentari po përhap “gënjeshtra të qëllimshme” që dëmtojnë reputacionin e familjes.

Seria dokumentare e Netflix rishikon ngritjen dhe rënien e Diddy-t, duke u fokusuar në akuzat për sjelljen e tij dhe marrëdhëniet familjare. Pikë qendrore është incidenti i vitit 1991, ku humbën jetën 9 persona dhe u plagosën gati 30 të tjerë.

Burroughs rrëfen në dokumentar se kishte parë artistin të konfrontohej fizikisht me nënën e tij pas ngjarjes, një deklaratë që ka shkaktuar reagim të menjëhershëm.

Janice Combs e quajti këtë pretendim “të turpshëm” dhe akuzoi Burroughs se po përdor një tragjedi për përfitim personal.

Përfaqësuesi i Combs, Judah S. Engelmayer, tha për Daily Mail se “shumë nga akuzat në dokumentar nuk janë verifikuar”, duke shtuar se e vërteta do të dalë në dritë në kohën e duhur.

Ai akuzoi gjithashtu Netflix-in se ka përdorur “pamje të vjedhura” dhe se ka bashkëpunuar me 50 Cent, një rival i hershëm i Diddy-t.

Diddy është shprehur i shqetësuar për publikimin e pamjeve private që, sipas ekipit të tij, “nuk ishin kurrë të destinuara për publik”.

Regjisorja e dokumentarit, Alexandria Stapleton, tha për Tudum se të gjitha pamjet janë përdorur ligjërisht dhe se Combs “gjithmonë e ka regjistruar veten”, duke krijuar një arkiv masiv gjatë viteve.

Në sfond: gjyqi i profilit të lartë

Janice Combs ishte e pranishme në gjyqin e fundit të djalit të saj në New York, ku ai u akuzua për transportim personash për qëllime prostitucioni. Gjykata e liroi nga akuzat më të rënda të trafikimit seksual dhe krijimit të një organizate kriminale.