Mollie Davey, 30 vjeç, nga Essex, pësoi insuficiencë kardiake vetëm disa ditë pas lindjes së djalit të saj, Henry, dhe iu nënshtrua një transplanti zemre që i shpëtoi jetën tre muaj më vonë.
Mollie, një agjente udhëtimesh, kishte vuajtur nga palpitacione që prej adoleshencës, por ishte diagnostikuar gabimisht me ankth. Ajo përdorte beta bllokues herë pas here, por nuk kishte simptoma të tjera. Në janar të vitit 2024, ajo zbuloi se ishte shtatzënë për herë të parë pas muajsh përpjekjesh me partnerin e saj, Gary. Me gjithë një shtatzëni të ndërlikuar, përfshirë testimin CVS dhe diabetin gestacional, djali i saj, Henry, lindi i shëndetshëm më 31 gusht.
Tri ditë pas kthimit në shtëpi, Mollie filloi të kishte vështirësi në frymëmarrje. Fillimisht, ajo e lidhi këtë gjendje me astmën, por u rrëzua të nesërmen. Duke parandjerë se po përjetonte një atak në zemër, ajo i kërkoi Gary-t të thërriste ambulancën. Mjekët në spitalin Princess Alexandra zbuluan se zemra e saj kishte dështuar plotësisht dhe e transferuan në Spitalin Mbretëror Papworth në Cambridgeshire, ku u diagnostikua me insuficiencë kardiake të lidhur me shtatzëninë.

Për tre muaj, Mollie qëndroi gjallë falë një aparature për mbështetjen e jetës (BiVAD), ndërsa priste një zemër dhuruese. Pas një alarmi të rremë, një zemër dhuruese e përshtatshme u gjet dhe Mollie iu nënshtrua një procedure transplanti tetëorëshe me 20 nëntor. Me gjithë ndërlikimet fillestare pas operacionit, përfshirë vështirësitë në stabilizimin e zemrës së re, Mollie doli nga spitali pak para Krishtlindjes.

Tani në rikuperim në shtëpi, Mollie po forcohet gradualisht, duke bërë biopsi mujore të zemrës për të monitoruar refuzimin dhe duke pritur me padurim kthimin në një jetë normale. Ajo reflekton mbi përvojën e saj me mirënjohje të thellë dhe dhimbje për familjen e dhuruesit të saj.
Mollie ka filluar tashmë të shijojë jetën me Henry-n, duke vizituar akuariume dhe ferma, dhe e konsideron atë burimin e saj të forcës gjatë kësaj sfide shëndetësore. “Unë besoj vërtet se po të mos ishte për Henry-n, nuk do ta kisha kaluar këtë,” tha ajo. / Talker News – Syri.net
