Është jashtëzakonisht e nevojshme që të përdorësh sutiena të veçanta për sportin, sepse gjatë aktivitetit fizik përmasat e krahërorit rriten për shkak të lëvizjeve
Pyetja e adoleshentit: Si mund të zgjedh numrin e duhur të sutienave (gjoksoreve)?
Përgjigjen specialistët:
Edhe pse kjo është një gjë që natyrisht duhet ta dimë, e vërteta është se nëntë në dhjetë gra nuk e dinë masën e gjoksit të tyre.
Zgjedhja e modelit dhe e masës më të përshtatshme të sutienave është aq e rëndësishme, sa shumë ekspertë thonë se është më mirë të mos mbash fare sutiena, sesa të mbash një numër që s’të përshtatet.
Llogarit masën tënde
Masa e sutienave gjendet me anë të këtyre dy matjeve:
Rrethi: me një metër mat rreth e rrotull kraharorin, pjesën poshtë gjoksit. Shifra që del duhet të korrespondojë me një nga masat: 80, 85, 90, 95…
Kupa: mate gjoksin rreth e rrotull në pjesën më të ngritur të tij. Përmasa e matur, mund t’i korrespondojë njërës prej shkronjave, duke nisur me shkronjën A për masën më të vogël dhe D për masën më të madhe.
Në mënyrë që rezultatet e të dyja matjeve të jenë të sakta, bëji matjet zhveshur dhe në ditët kur nuk je me perioda.
Zgjedhja e sutienave
Sutienat nuk mund të rrinë shtrënguar, sepse mund të shkaktojnë dhimbje të qafës dhe të kokës, si dhe mund të ndikojnë në dëmtimin e gjëndrrave limfatike të të gjoksit.
Zgjidhe modelin e sutienave me rripa të trashë dhe zhvendose herë pas here pozicionin e rripave, që të mos shkaktojnë shtrëngime të lëkurës.
Nëse sutienat përmbajnë tela metalikë, sigurohu që harku i tyre të përputhet me përmasën e gjoksit tënd.
Nëse sutienta kanë pjesë dantelle, ajo duhet të jetë e cilësisë së mirë, në mënyrë që të mos irritojë lëkurën gjatë fërkimit.
Sutienat janë të përshtatshme, nëse kur i mbërthen të bëjnë të ndihesh rehat, nuk të shtrengojnë, nuk e shtypin gjoksin dhe nuk krijojnë rrudha.
Duhet të dish
Është jashtëzakonisht e nevojshme që të përdorësh sutiena të veçanta për sportin, sepse gjatë aktivitetit fizik përmasat e krahërorit rriten për shkak të lëvizjeve. Nëse nuk i përdor ato, për çdo 1500 metra vrapim, lëvizja e gjoksit arrin afërsisht 135 mm (në vijë të drejtë).