LifeStyle

Nëse jeni grua dhe udhëtoni me aeroplan me këtë linjë ajrore, mund të zgjidhni një vend pranë një gruaje tjetër

Vendimi u mor për shkak të raportimeve të shumta për ngacmime seksuale në avion

IndiGo, një nga linjat ajrore më të mëdha në Indi, prezantoi një funksion të ri në maj të këtij viti që ka të bëjë me zgjedhjen e vendeve në aeroplan.

Shërbimi u lejon pasagjereve femra të zgjedhin të mos ulen pranë një burri gjatë udhëtimeve me aeroplan. Kur zgjedhin një vend, gratë lejohen të shohin se ku janë ulur gratë e tjera.

IndiGo e ofron këtë funksion, në një fazë pilot, për pasagjerët që bëjnë check-in për fluturimet e tyre online. CNN-ja ka kontaktuar me IndiGo për më shumë informacion mbi aplikimin e funksionit të ri.

Në një deklaratë, IndiGo theksoi se funksioni, i cili do të jetë në dispozicion për gratë që udhëtojnë vetëm ose si pjesë e një rezervimi familjar, është në përputhje me etikën e tyre “GirlPower”.

Edhe pse linja ajrore nuk dha një arsye specifike për t’u dhënë grave mundësinë për të parë se ku janë ulur gratë e tjera, sulmet ndaj grave dhe fëmijëve në fluturimet komerciale raportohen rregullisht në mbarë botën.

Në SHBA, krimet në aeroplan janë nën juridiksionin e FBI-së. Një raport i publikuar në prill, i cili synonte të rriste ndërgjegjësimin për sulmet seksuale në avionë, tha se 96 raste të sulmeve seksuale gjatë fluturimit ishin hapur në vitin 2023. Zakonisht meshkujt janë autorë, ndërsa femrat dhe shoqëruesit e tyre të mitur janë viktima.

Kompania, e themeluar në vitin 2006, operon më shumë se 2000 fluturime të brendshme dhe ndërkombëtare çdo ditë në Indi.