Nëse e kapni veten duke u përpëlitur në punë për herë të tretë dhe zgjatni dorën sërish drejt një filxhani tjetër kafeje, mund të jetë momenti për të ndalur dhe reflektuar. Ekspertët paralajmërojnë se përgjumja e vazhdueshme nuk është thjesht pasojë e një nate të keqe, por sinjal i qartë i mungesës së gjumit, një problem serioz me pasoja të gjera për shëndetin dhe jetën e përditshme.
Sipas Akademisë Amerikane të Mjekësisë së Gjumit (AASM), përgjumja kronike rrit ndjeshëm rrezikun për aksidente rrugore, gabime në punë dhe zhvillimin e sëmundjeve afatgjata si diabeti, depresioni, sëmundjet e zemrës dhe goditja në tru. “Përgjumja është një kërcënim serioz për shëndetin”, thotë Dr. Eric Olson, president i AASM.
Megjithëse shumë njerëz e justifikojnë lodhjen gjatë ditës me angazhime të mërzitshme apo netë të gjata, trupit nuk mund t’i fshihemi. Sipas Kristen Knutson, specialiste e gjumit në Universitetin e Çikagos, “dikush që fle mjaftueshëm nuk do të flejë as në takimin më të mërzitshëm”. Përgjumja gjatë ditës, sipas saj, është shpesh tregues i mungesës së thellë të gjumit ose i çrregullimeve si apnea e gjumit apo pagjumësia.
Nëse ndjeni vështirësi për të qëndruar zgjuar në mjedise të qeta, si gjatë leximit, udhëtimit ose pas darkës, kjo mund të jetë një sinjal alarmi. Ekspertët rekomandojnë përdorimin e pyetësorit të përgjumjes së Epworth, që vlerëson rrezikun e rënies në gjumë në situata të përditshme.
Faktorët që ndikojnë në përgjumje
Përveç mungesës së gjumit, ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë negativisht në cilësinë e tij:
1.Kafeina, alkooli, pirja e duhanit
2.Ilaçet që ndikojnë në sistemin nervor
3.Dhimbjet kronike dhe stresi
4.Higjiena e dobët e gjumit, ora të parregullta të fjetjes, përdorimi i pajisjeve elektronike para gjumit, etj.
“Shumë njerëz habiten sa më mirë ndihen pasi heqin dorë nga gota e verës në mbrëmje”, shkruan Dr. Gurubhagavatula, një tjetër eksperte e gjumit, duke theksuar se edhe mitet rreth ilaçeve janë të rrezikshme, pasi ato mund të dëmtojnë ciklet natyrale të gjumit dhe të rrisin lodhjen ditën tjetër.
Ekspertët këshillojnë që nëse përgjumja po ndikon në përditshmërinë tuaj, mos e injoroni. Ndryshoni zakonet e jetesës, krijoni një rutinë të shëndetshme të gjumit dhe, nëse nevojitet, kërkoni ndihmën e një mjeku specialist.
Sepse një gjumë i mirë nuk është luks, është domosdoshmëri për një jetë të gjatë, të shëndetshme dhe të sigurt. Syri.net-newsbomb.gr.
