LifeStyle

Nëse një ditë do bëhem nënë e një vajze…

Sot është Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave. Çfarë mund të them më shumë për një temë që, në thelb, nuk do duhej të ishte kaq e rëndësishme për t’u diskutuar? Nuk duhet as të kishte një ditë të veçantë për të, sepse kjo është një luftë që duhej të kishte mbaruar shumë kohë më parë.

Edhe pse ditë të tilla simbolike më duken si lule të shkurtra në një shkretëtirë që ka nevojë për më shumë se një ditë për të lulëzuar, prapëseprapë, e gjej veten duke menduar për të bërë a thënë diçka, E si mund ta ndihmojmë? Epo, ndoshta duhet të nisemi nga pika themelore: edukimi.

Jam në fillim të 20-ave, nëse një ditë do kem një vajzë, e kam shumë të qartë çfarë do t’i mësoja.

…Nëse një ditë do bëhem me një vajzë, do ta mësoj që jeta s’është një pasarelë ku do të ecësh (gjithmonë) e kururar dhe sytë e buzëqeshur, por një malore me shtigje ku çdo hap është si një betejë që duhet të fitohet.

…Do i tregoja si të flasë, si të qeshë, si të hedhë krahët e saj drejt mundësive që nuk shihen kurrë nga këndvështrimi i tjetrit. Kur dikush do t’i thotë që vendi i saj është vetëm brenda katër mureve, ajo do t’I mbushë ato mure me pasionin e saj dhe do i thotë: “Unë s’kam mure. Kam vetëm hapësirë.”

…Do t’i mësoj që çdo vendim të jetë i saj dhe jo i dikujt tjetër, edhe nëse ky dikush është një njeri me të cilin mendon se do kalojë jetën e saj. Ajo duhet të dijë se “jo” është një armë e fuqishme, që mund të ndryshojë të gjithë rrjedhën e jetës së saj.

…Kur t’i thonë “duro se kështu janë burrat”, do t’i mësoj se asnjëherë nuk duhet të falë asnjë lloj dhune, as emocionale e as fizike, vetëm pse “po thonë kështu të gjithë”. 

…Kur edukata për një grua lidhet me bindjen, ndërsa për një burrë me guximin… kur një grua dhunohet dhe komenti i parë është: “po ajo çfarë bëri?” …kur “ruajtja e familjes” konsiderohet më e rëndësishme sesa siguria e individit brenda saj… Do t’i mësoj se heshtja nuk është virtyt. Duhet të flasim, të kërkojmë drejtësi, të thërrasim për të drejtat tona dhe të kërkojmë ndihmë.

…Nëse një ditë do bëhem me një vajzë, do ta mësoj që të besojë te vetja, jo për atë që mund të arrijë sipas standardeve të të tjerëve, por për atë që ajo dëshiron. Kur dikush t’i thotë “S’mund ta bësh kaq gjë?”, do t’i them të buzëqeshë dhe të thotë “Jo se nuk mundem, por nuk dua”. Sepse ajo duhet të bëjë atë që dëshiron, duke ruajtur gjithmonë respektin për veten. Të bëjë zgjedhjet e saj pa pasur frikë nga gjykimi i shoqërisë.

…Do ta mësoj që larja e enëve, hekurosja dhe pastrimi nuk janë punë për gra vetëm. Nuk ka arsye që një vajzë të mos i bëjë këto punë, por as që të ndjehet e detyruar t’i bëjë nëse nuk është ajo që dëshiron. Të kuptojë që në jetën e saj ka vend për gjithçka dhe se askush nuk mund të i vërë kufij. Ajo mund të ndihmojë në çdo aspekt të jetës shtëpiake, por gjithashtu mund të ndjekë pasionet e saj, të arrijë qëllimet e saj dhe të jetë gjithmonë në kontroll të jetës që ajo dëshiron të krijojë.

…Nëse dikush i thotë se “Nuk duhet të bëjë gabime”, do ta mësoj që gabimet janë shkallët që të çojnë drejt përmirësimit dhe rritjes. Ajo duhet t’i shohë ato si mundësi për të mësuar dhe për të u rritur, jo si aspekte që e bëjnë më pak të vlefshme ose më pak të suksesshme.

…Nëse një ditë do bëhem me një vajzë, do kaloja me të në lagjet e lacave me minifund dhe syze dhe një bluzë ku shkruhet: “Unë mund të kaloj në çdo rrugë dhe t’i s’më bën dot asgjë”.

…Kur teta Moza te lagja t’i thotë që “është më mirë të heshtësh, kjo nuk është temë për vajzat”, do t’i them të flasë më fort e t’ia shurdhojë veshët teta Mozës. Të flasë me vetëbesim dhe pa frikë, sepse bota ka nevojë për zërin e saj. 

…Nëse një ditë do bëhem me një vajzë dhe një mashkull tenton t’i thotë se ku të shkojë ose çfarë të bëjë, do e mësoja t’i thotë që ai të shkojë në dreq. Të kuptojë se nuk është pronë e askujt dhe se asnjë burrë nuk mund të diktojë jetën e saj.

…Nëse një djalë i thotë “Unë dua që të mos punosh se të mbaj unë si kukull barbie”, ajo duhet të dijë se nuk ka asnjë arsye që ajo të heqë dorë nga ëndrrat e saj dhe që të vendosë të bëjë një zgjedhje që nuk e bën të lumtur. Ajo mund të ketë gjithashtu një karrierë të suksesshme dhe mund të ndihmojë partnerin e saj në çdo mënyrë që të dy kanë nevojë, por gjithmonë do të jetë e pavarur dhe e fuqishme në zgjedhjet që bën.

…Nëse një djalë i kërkon të rrisë flokët, do i them të shkojë dhe t’i presë. Jo për të bërë të kundërt e asaj që i kërkon ai, por ajo duhet të dijë që mund të jetë vetvetja pa frikë, pa pëlqimin e askujt dhe pa tendencën për t’u përshtatur me atë që nuk dëshiron.

…Do i mësoja se një nga gabimet më të mëdha që mund të bëjë është lufta me një vajzë a grua tjetër. Do t’i tregoja që mbështetja dhe solidariteti ndërmjet grave janë fuqia më e madhe që mund të kenë. Do t’i thosha që mbështetja dhe solidariteti ndërmjet grave janë thelbësore. Me njëra-tjetrën mund të arrijmë shumë më shumë se nëse veprojmë vetëm. E nëse veprojmë kundër tyre, s’do arrijmë kurrë asgjë.

…Nëse një ditë do bëhem me një vajzë, do t’i këndoja këngën “Go gentle” e Robbie Williams dhe do i thoja: “And I’ll be there to catch you”. Do të doja që ajo të dinte se gjithmonë do të ketë dikë që do ta mbështesë dhe do të jetë aty për të, edhe kur e gjitha bota të duket se është kundër saj. Do ta mësoja që asnjëherë nuk është vetëm.