Ish-ambasadori Agim Nesho ka vlerësuar si serioz dhe konkret paralajmërimin e Ambasadës amerikane për rrezikun nga grupe të lidhura me Iranin në Shqipëri, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga autoritetet shqiptare.
Në një lidhje live për emisionin “Now me Erla Mëhillin”, Nesho theksoi se kërcënimi nuk duhet parë si rutinë, por si një alarm i bazuar në analiza të thelluara dhe informacion të ndarë me institucionet vendase.
“Pa diskutim, ka një rrezik real. Nuk është një paralajmërim standard, por një alarm i mirëmenduar për situatën aktuale,” u shpreh ai.
Sipas Neshos, në shënjestër mund të jenë jo vetëm qytetarët amerikanë dhe elementët e opozitës iraniane, por edhe qytetarët shqiptarë dhe turistët, për shkak të bashkëjetesës në hapësira publike si qendra turistike, tregtare dhe industriale.
Ambasada amerikane: Irani mund të shënjestrojnë vende turistike, qendra tregtare e hotele në Shqipëri
Ai nënvizoi se vendet e tjera europiane kanë ndërmarrë masa konkrete, duke përmendur rastin e Greqisë, e cila ka rritur nivelin e sigurisë në pika kyçe turistike dhe infrastrukturore.
Nesho kërkoi që edhe Shqipëria të ndjekë një qasje të ngjashme, duke propozuar mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar dhe informimin e qytetarëve për nivelin e rrezikut.
Sipas tij, zhvillimet lidhen me tensionet ndërkombëtare dhe situatën e sigurisë në rajone strategjike, përfshirë transportin e naftës dhe gazit në Gjirin e Hormuzit, çka rrit rrezikun për akte të mundshme terroriste.
