Zonja Nexhmije Mehmetaj lindi më 1957 në Llapushnik të Drenasit, në Kosovë. Ajo ishte në mesin e femrave të para që përfundoi shkollën tetëvjeçare me sukses të shkëlqyeshëm në fshatin e lindjes, një arritje që shërbeu si dëshmi bindëse për familjen që ta përkrahte edhe në vazhdimin e shkollës së mesme në Prishtinë.
Edhe në kushtet e vështira ekonomike dhe me sakrifica të mëdha familjare, Nexhmija u dallua për përkushtim dhe rezultate të larta. Prirjet për gjuhën shqipe i shfaqi herët, përmes paraqitjeve të rregullta në orët letrare që organizoheshin për festat kombëtare.
Nga dashuria për gjuhën amtare, në vitet 1976-1977 ajo filloi studimet e rregullta në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Kosovës, në seksionin Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.
Pas përfundimit të studimeve, u punësua në shkollën “IsmailQemali” në Prishtinë, e sapondërtuar në atë kohë. Me punën e ndershme dhe sjelljen shembullore ndaj nxënësve, fitoi respekt të gjerë.
Kur në gjimnazin “Xhevdet Doda” të Prishtinës u shpall nevoja për profesorë të gjuhës shqipe, Nexhmija aplikoi me dëshirën për të dhënë kontribut në arsimimin e të rinjve.
Duke qenë se drejtoria kishte dëgjuar për përkushtimin dhe profesionalizmin e saj, kandidatura e saj u miratua.
Por në vitin 1985, pikërisht në fillim të kësaj etape të re, ajo mori një letër tronditëse nga organet gjyqësore të kohës: i ndalohej mësimdhënia, duke u cilësuar si “e papërshtatshme ideo-politikisht”, për shkak se bashkëshorti i saj, NezirMehmetaj, jurist me profesion, ishte dënuar rëndë si një nga organizatorët e demonstratave studentore të vitit 1981.
Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës më 23 mars 1989, rreziku i arrestimit të përsëritur të Nezirit dhe ndëshkimit edhe të Nexhmijes u bë real.
Në këtë situatë pa dalje, rruga e vetme ishte migrimi i përkohshëm. Në vitin 1991, Nexhmija dhe Neziri, së bashku me djalin e tyre foshnjë Liburnin, u vendosën në kantonin Juratë Zvicrës.
Duke parë të pamundur të jetonte larg ditarit dhe nxënësve, në vitin 1994 Nexhmija aplikoi në konkursin vjetor të shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Kosovës në ekzil.
Përvoja e saj profesionale u vlerësua menjëherë dhe ajo u pranua si mësuese e Shkollës së Mësimit Plotësues të Gjuhës shqipe në Kantonin Jura të Zvicrës.
Me një energji të rrallë, Nexha, siç e quanin me respekt familjarët dhe miqtë, trokiste derë më derë në familjet shqiptare për të bindur prindërit që t’i përfshinin fëmijët në mësimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e traditave.
Ajo organizoi programe kulturore për Ditën e Flamurit dhe Pavarësinë e Shqipërisë, ndërsa nxënësit e saj fituan vendin e parë në kuize diturie të organizuara nga LAPSH në Zvicër, në prani të figurave të larta institucionale të arsimit kosovar dhe shqiptar.

Kontributi i saj u shtri edhe në shoqatën bamirëse “Rrjeti i Solidaritetit “të Zvicrës, përmes së cilës u ndihmuan shkollat në Kosovë që zhvillonin mësim në kushte të jashtëzakonshme, jashtë objekteve zyrtare, nga të cilat ishin dëbuar me dhunë.
Zonja Mehmetaj ishte gjithashtu anëtare e komisioneve për hartimin e teksteve shkollore për fëmijët e diasporës.
Paralelisht, ajo ka botuar shkrime në gazeta e revista shqipe, ku trajton tema nga morfologjia dhe sintaksa, si dhe raportet e shqipes me gjuhët indo-evropiane.
Dashurinë për gjuhën dhe kulturën shqiptare e përcolli edhe te djali i saj i vetëm, Liburni, i cili sot, krahas punës si gjykatës apeli në Gjenevë, kryen vullnetarisht edhe detyrën e kryetarit të LAPSH-it për këtë kanton dhe në nivel të Zvicrës.
Edhe pse në moshën 69-vjeçare, zonja Nexhmije Mehmetaj nuk ndalet së punuari për fëmijët shqiptarë në mërgim. Ajo merr pjesë në çdo aktivitet kulturor, promovim librash apo tryezë që lidhet me trojet shqiptare.
Zëri i saj dhe fjala e shkruar mbeten thirrje e vazhdueshme për prindërit shqiptarë që t’ua ruajnë fëmijëve gjuhën amtare dhe trashëgiminë pellazgo-ilire, si themel identiteti dhe dinjiteti kombëtar.
ARIF EJUPI
