Lajme

Nga akuzat për oligarkët, tek falja dhe marrja e tokës së pronarëve, Rama sqaron Paketën e Maleve: Po përpiqemi

Nga akuzat për oligarkët, tek falja dhe marrja e tokës së pronarëve, Rama sqaron Paketën e Maleve: Po përpiqemi ta kthejmë kapitalin e fjetur në ekonomi për zonat malore
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me “Paketën e Maleve”, duke hedhur poshtë kategorikisht akuzat dhe kritikat se ky projektligj është hartuar për të favorizuar investitorët e mëdhenj, të huajt apo të ashtuquajturit oligarkë. Përmes një sqarimi të detajuar në rrjetet sociale, kreu i qeverisë thekson se këto teza nuk qëndrojnë aspak juridikisht, pasi kriteri bazë e më i rëndësishëm i ligjit është posedimi faktik e i vazhdueshëm i tokës për të paktën 10 vjet — një kusht që investitorët e huaj apo kapitali i madh nuk e plotësojnë dot.

Sipas Ramës, subjekti real i këtij ligji janë familjet vendase në zona si Thethi, Vermoshi, Zagoria, Lunxhëria apo Mokra, të cilat prej dekadash punojnë e jetojnë në toka, stane, kulla e pemëtore të trashëguara, por pa pasur dot një titull të formalizuar pronësie. Përmes këtij mekanizmi, shteti u jep mundësi atyre ta formalizojnë këtë pasuri për të marrë kredi, për të ndërtuar ligjërisht dhe për ta zhvilluar atë në mënyrë të sigurt.

Rama sqaroi gjithashtu se formula “1 euro” përdoret pasi shteti nuk po shet tokë, por po ua jep me kontratë poseduesve faktikë për ta zhvilluar atë nën kushte strikte verifikimi. Ai hodhi poshtë pretendimet se po u merret prona pronarëve të ligjshëm apo se po favorizohen vetëm resortet e mëdha, duke nëvizuar se fokusi kryesor është ekonomia lokale: agroturizmi, bujtinat, fermat, punishtet artizanale dhe turizmi familjar. Objektivi përfundimtar është kthimi i këtij kapitali të fjetur në ekonomi reale, nxitja e punësimit dhe rijetësimi i zonave malore.

Të Ngjashme