LifeStyle

Nga ankthi te vetëbesimi: Ja pse gjithnjë e më shumë njerëz zgjedhin të udhëtojnë vetëm…

Të udhëtosh vetëm mund të duket si një sfidë e madhe, sidomos nëse je njeri që ka nevojë të ketë gjithçka nën kontroll. Por pikërisht kjo sfidë mund të kthehet në një nga mënyrat më të mira për të fituar më shumë besim te vetja.

Këtë e dëshmon edhe Casey Gueren, e cila rrëfen në The Washington Post se vendimi për të bërë udhëtimin e saj të parë vetëm në moshën 35-vjeçare ndryshoi mënyrën se si përballet me ankthin. Pas pandemisë, ndryshimeve në jetën personale dhe ndjesisë se po priste gjithmonë momentin “e duhur” ose shoqërinë “e duhur” për të udhëtuar, ajo rezervoi pushimet e para vetëm. Që atëherë ka bërë pesë udhëtime të tilla në vetëm dy vite dhe thotë se këto eksperienca e kanë ndihmuar të menaxhojë ankthin edhe më mirë, duke plotësuar punën që bën në terapi.

3 mësimet më të vlefshme që ka marrë nga këto udhëtime:

1. Mëso të mos stresohesh atë që nuk mund ta kontrollosh
Ankthi shpesh të bind se nëse mendon pafund për çdo skenar të mundshëm, do të jesh më i përgatitur. Në realitet, ekziston një ndryshim i madh mes përgatitjes dhe mbimendimit.

Përgatitja është diçka që varet nga ti, si të nisesh më herët për në aeroport nëse ke frikë se do të humbasësh fluturimin. Ndërsa të kalosh orë të tëra duke imagjinuar gjithçka që mund të shkojë keq nuk ndryshon asgjë, përveçse rrit ankthin.

2. Beso më shumë te vetja
Kur udhëton vetëm, je i detyruar të marrësh vendime, të zgjidhësh probleme dhe të përballesh me situata të papritura pa ndihmën e askujt.

Çdo sfidë që kalon të kujton se je shumë më i aftë sesa mendon. Dhe herën tjetër që ankthi të të pyesë “Po sikur?”, do të kesh prova konkrete se di të përballesh edhe kur gjërat nuk shkojnë sipas planit.

3. Kur ndihesh i humbur, krijo një mision të vogël
Një qytet i panjohur mund të të duket kaotik, por nuk ke pse ta eksplorosh menjëherë në çdo cep.

Zgjidh një destinacion të vogël për ditën: një librari, një treg lokal, një muze ose thjesht një lagje ku dëshiron të ecësh. Ky objektiv i thjeshtë të jep një ndjenjë orientimi, ndërsa rruga vetë të çon drejt zbulimeve të papritura.

Fundja, një udhëtim vetëm nuk është vetëm një mënyrë për të parë vende të reja. Mund të jetë edhe një mënyrë për të njohur më mirë veten dhe për të kuptuar se ndonjëherë, gjërat më të bukura ndodhin pikërisht kur heq dorë nga nevoja për të kontrolluar gjithçka.

Të Ngjashme