Që nga koha kur njerëzit kanë nisur të pyesin veten pse sillen ndryshe nga njëri-tjetri, ka lindur një interes i madh për të kuptuar personalitetin. A është diçka e lindur, e pandryshueshme? Apo formohet nga jeta, përvojat dhe rrethanat? Edhe pse sot flasim për tipologji moderne si introvertë, ekstrovertë, liderë, apo testet e njohura mbështetur në shkencë, ide të ngjashme kanë ekzistuar shumë më herët se psikologjia si shkencë.
Për t’u kthyer në fillim, duhet të udhëtojmë mijëra vjet pas, në Greqinë e lashtë, ku filozofë si Platon dhe Aristoteli filluan të studiojnë natyrën njerëzore. Për ta, dallimet mes njerëzve nuk ishin rastësi ata besonin se secili njeri kishte një strukturë të brendshme karakteri që udhëhiqte vendimet, emocionet dhe mënyrën si ndërvepronte me të tjerët. Qëllimi ishte i qartë: të kuptonin çfarë na bën kaq të ndryshëm, edhe brenda të njëjtit komunitet.
Më vonë, këto ide u zhvilluan në teori të plota. Mjekët e kohës ndanin temperamentet njerëzore, duke besuar se karakteri i dikujt varej nga ekuilibri i trupit dhe mendjes. Ky koncept u rikthye shekuj më vonë kur psikologjia moderne nisi të marrë formë. Carl Jung, një ndër figurat më me ndikim të shekullit XX, sugjeroi se personaliteti ndahet në lloje të ndryshme mendore dhe emocionale. Ky frymëzim i tij çoi në lindjen e testit Myers–Briggs, i cili sot përdoret për të përcaktuar 16 tipe personaliteti.
Ad
Ndërkohë, shkenca bëri një hap tjetër. Nga analizat statistikore lindi modeli i njohur Big Five, që e sheh personalitetin jo si kuti të ngurta, por si pesë dimensione hapje mendore, ndërgjegjshmëri, ekstraversion, pajtueshmëri dhe stabilitet emocional. Ky është një nga modelet më të mbështetura shkencërisht sot, dhe megjithatë sërish ruan gjurmët e filozofive të lashta: ideja se tiparet tona janë të matshme dhe të dallueshme.
Sot, shpjegimi i personalitetit është bërë pjesë e jetës së përditshme nga testet që bëjmë për kuriozitet në internet, te aplikimet në karrierë dhe deri tek mënyra se si zgjedhim partnerët tanë. Ajo që duket moderne në fakt është vazhdimësi e një rrugëtimi mijëravjeçar: një përpjekje për të kuptuar kush jemi dhe pse sillemi në mënyra kaq të ndryshme.
E vetmja gjë që ka ndryshuar janë mjetet: nga filozofia dhe intuicioni, tek të dhënat, statistikat dhe shkenca.


