Deklarata e ministres serbe për spastrimin etnik të Kosovës ka rikthyer në vëmendje narrativën e vjetër të Beogradit, ndërsa ekspertët e shohin atë si dëshmi të një politike që sipas tyre, nuk ka hequr dorë nga ambiciet hegjemoniste ndaj Kosovës.
Ndonëse kanë kaluar më shumë se 30 vjet nga koha kur Serbia tentoi t’i shfaroste shqiptarët e Kosovës dhe t’i dëbonte nga vendi i tyre, mendësia e atij regjimi vazhdon të mbijetojë edhe sot.
E njëjta ideologji dhe e njëjta narrativë e Sllobodan Millosheviqit vazhdon të dëgjohet tri dekada më pas.
Në një intervistë për një televizion serb, ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, artikuloi hapur atë që Millosheviqi tentoi ta realizonte në vitin 1999, duke thënë se “po të ishte Sllobodan Millosheviqi, do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën më 1998”.
Ministri në detyrë i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar duke thënë se thirrjet për spastrim etnik dëshmojnë se Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia e Millosheviqit. Ai ka theksuar se përgjigjja e Kosovës dhe e botës demokratike ndaj këtyre përpjekjeve dihet: Kosova mbeti e lirë, ndërsa Millosheviqi përfundoi si kriminel lufte, e që të njëjtin fat do ta kishe edhe ajo.
Edhe profesorë dhe njohës të gjeopolitikës, këtë deklarim të Paunoviqit e quajnë mendim e qëndrim zyrtar të Serbisë.
“Vazhdim të logjikës kriminale të politikës serbe e cila bazohet edhe më tutje në ambiciet hegjemoniste jo vetëm ndaj Kosovës, nëse i referohemi projektit të botës serbe një deklaratë që duhet të nxisë reagimin e qarta, të ashpra dënuese nga BE, SHBA gdhe gjithë faktorët të cilët në 98-99 ja kanë treguar vendin Millosheviqit”, tha Arben Fetoshi, drejtori i Institutit ”Octopus”.
“Fakti që thuhet nga një ministër që ka distanca 25 vjeçare nga Millosheviqi në kuptimin e kohës kur ka ndodhur gjenocidi dhe spastrimi etnik në Kosovë, tregon që ky është qëndrim zyrtar që ka Serbia ndaj Kosovës, këtë po e thotë dikush që është e zgjedhur në qeverinë e Serbisë që përfaqëson shtetin serb, prandaj ky është qëndrim i shtetit serb”, theksoi Dorajet Imeri, profesor i gjeopolitikës.
Derisa zyrtarët serbë vazhdojnë të shfaqin hapur pretendimet ndaj Kosovës, në anën tjetër presidenti Aleksandër Vuçiq i ka dalë në mbështetje patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, pas dënimit me katër muaj burgim me kusht nga një gjykatë në Slloveni, për një akuzë për keqtrajtim të një prifti në vendin e punës.
“Këto janë struktura të cilat Serbi, a politika serbe i përdorë grupe të ngjashme, si të Radoçiqit Veselinoviqit, patriarku në anën tjetër, dhe kjo tregon qartë se si Serbia e ka shfaqë fytyrën e vet dhe ambiciet në të njëjtën kohë”, shtoi Imeri.
“Pikërisht ky institucion është ai që ka bekuar kriminel te njohur ndërkombëtarisht karagjiq e mlladiq për luftën në Bosnje dhe vazhdon narrativen e sakralizimit të politikës hegjemoniste të Serbisë kundrejt Kosovës sot”, pohoi Fetoshi.
Përderisa zyrtarë të lartë vazhdojnë të artikulojnë ide që lidhen me spastrimin etnik dhe pretendimet territoriale ndaj Kosovës, ndërsa institucionet fetare e politike mbështeten nga udhëheqja serbe, në Prishtinë vlerësohet se bëhet fjalë për vazhdimësi të një politike të vjetër hegjemoniste.
