Debati politik në vend vazhdon të mbetet i tensionuar, sidomos pas zhvillimeve që shoqëruan konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
Akuzat për bllokada institucionale, përplasjet mes pozitës dhe opozitës, si dhe diskutimet rreth zgjedhjes së presidentit/es së ri/re, kanë thelluar ndarjet në skenën politike.
E në lidhje me procesin e konstituimit të Kuvendit, zgjedhjen e presidentit/es të vendit, për “Bota sot” foli veprimtari nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.
Fillimisht, ai kritikoi ashpër partitë opozitare, të cilat sipas tij bllokuan konstituimin e Kuvendit për muaj të tërë, ku më pas si pasojë u mbajtën edhe një palë zgjedhje të tjera, ato me 28 dhjetor.
Sipas tij, të gjitha sulmet që kundërshtarët politikë bën ndaj Kurtit dhe LVV për muaj të tërë, ndikuan që në zgjedhjet e dhjetorit, kjo parti mori fitore të madhe, derisa partitë opozitare u ndëshkuan nga qytetarët.

Idriz Zeqiraj.
“Për afro një vit opozita destruktive, PAN-i i kriminalizuar përdori të gjithë arsenalin propagandistik, në koordinim me lukuninë e gazetarëve mercenarë, të prirë nga agjenti i Serbisë, Baton Haxhiu, se bllokadën 9 mujore, për konstituimin e institucioneve shtetërore të Kosovës, e bëri pozita e kryesuar nga Albin Kurti me LVV dhe aleatët Guxo dhe Alternative.
Por, populli në Kosovë dhe Mërgatë, brenda një dite të vetme, pikërisht, më 28 dhjetor 2025, me votën e tij të lirë demokratike, vërtetoi se bllokadën e bëri opozita e bashkuar dhe jo pozita. Prandaj e ndëshkoi opozitën me humbjen e thellë dhe tërësisht meritore. Qëllimi i bllokadës të opozitës ishte që humbjen e saj ta kompensonte me fitoren në tavolinë!
Pra, vota demokratike e popullit demantoi bindshëm të gjitha akuzat se, kinse, pozita bëri bllokadën, duke e turpëruar dhe kriminalizuar opozitën me argatët e saj, njëherësh edhe hafije në shërbim të Serbisë”, nënvizoi ai.
Më tej, Zeqiraj përmendi procedurat për formim të insitucioneve, e ku që pas tyre do vijë radha për të zgjedhur presidentetin/en e re të vendit.
Në këtë pikë, ai potencoi faktin se partia fituese nga ka votat e mjaftueshme për president, pra i duhet një koalicion ose konsensus me ndonjë parti tjetër.
“Pas shpalljes të rezultatit zgjedhor, partia me fitore plebishitare, LVV, së bashku me aleatët Guxo, Alternativa, PSHDK, ka filluar me përzgjedhjen e kabinetit qeveritar dhe organet kuvendore. Kjo, deri tani, është kompetencë vetëm brenda koalicionit.
Ndërkohë, pas përfundimit të tri fazave: Zgjedhja e organeve të Kuvendit dhe të qeverisë; miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare; miratimin e buxhetit shtetëror, në agjendë është zgjedhja e presidentit/es. Dhe, kjo i tejkalon mundësitë e pozitës aktuale, pasi nuk posedon 80 votat e nevojshme, pa një koncensues apo koalicion paraprak me ndonjë nga partitë e opozitës, për ta zgjedhur presidentin/en.
Mandati i parë i presidentes Vjosë Osmani, mbaron më 4 prill 2026. Ajo publikisht shpalli kandidaturën për mandatin e dytë presidencial, duke kërkuar votën e shqiptarëve. Dhe, kjo është brenda rregullave ligjore”, nënvizoi ai.
Krahas kësaj, veprimtari nga Gjermania, komentoi edhe akuzat dhe kritikat e mëdha që po bëhen ndaj presidentes Osmanit, e që sipas tij nuk janë të qëndrueshme dhe të bazuara.
Ai e vlerësoi presidenten aktuale, derisa vlerëson se ajo ka bërë punë të mira, gjatë këtij mandati të saj.
“Akuzat e bëra nga lukunia kundërshtare dhe rrugaçërore, nga të gjitha nivelet, se presidentja Osmani është karrieriste dhe kalkulante, janë lehtësisht të demantueshme. Fenomeni Dr. Vjosa Osmani është super specifik në Kosovë. Ajo ka një qëndrueshmëri klasike. Sa më shumë e kam njohur edhe nga afër, më ka bindur për karakterin e fortë të saj. Ishte përcaktuar për ta bërë ndryshimin në Kosovës, sepse krimet e përgjakura, vjedhjet zyrtare, kontrabandimet bashkëpunuese me kriminelët serbë dhe pisllëqet tjera, kishin tejkaluar çdo normë njerëzore. Dhe, realizoi qëllimet e saj fisnike, natyrisht, e ndihmuar çiltërisht nga njerëz të mirë dhe atdhedashës si ajo.
E gjithë kjo forcë përkushtuese për punë të mbara e Vjosë Osmanit, “nuk ka pikur nga qielli”. Përkundrazi, është rezultat i një vullneti të hekurt, duke u përgatitur përgjatë një shkollimi të bollshëm dhe cilësor. Ajo është juriste e diplomuar dhe e doktoruar, profesoreshë dhe eksperte në lëmin e drejtësisë: kontribuese në Komisionin Kushtetues dhe angazhimin në përmbylljen e Pavarësisë të Kosovës; me përvojë të shkëlqyer në njohjen e shkëlqyer të funksionimit të shtetit; përzgjedhja e orientimit perëndimor dhe aftësi komunikimi me partnerë botërorë”.
Krahas kësaj, veprimtari hodhi poshtë akuzat se Osmani ka qenë e njëanshme dhe ka mbështetur vetëm Kurtin, derisa ritheksoi faktin se ajo ka mbështetur nismat e Qeverisë Kurti, për shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit.
“Vjosa është shquar në diplomaci dhe në takimet ndërkombëtare, për trajtesa të çfarëdoshme, madje në të gjitha nivelet; guximshme në kërkesa për reforma, sidomos në drejtësi dhe ekonomi, si ndryshime të disa ligjeve ekzistuese, të cilat janë bërë pengesë, deri në ngërçe dhe ngufatje të shtetit.
Ta akuzosh Vjosë Osmanin se ka treguar anshmëri në mbështetjen e Kurtit, pse ajo është konsultuar dhe ka aprovuar të gjitha nismat dhe veprimet të Qeverisë Kurti, për shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit, duke mbyllur institucionet paralele serbe në territorin e Kosovës, është më shumë se marrëzi, është krim dhe poshtërsi, mbrojtje e politikave të Beogradit në Kosovë”, përfundoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.
