Lajme

Nga Kragujevci vjen mesazhi shqetësues për Kosovën: Narrativat nacionaliste mbeten të gjalla në Serbi!

Publikimi i memorandumit nga studentët protestues në Serbi, ku Kosova cilësohet si “pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”, po shihet si tregues se narrativi tradicional serb ndaj Kosovës vazhdon të mbetet i rrënjosur edhe te gjeneratat e reja.

Në dokumentin e miratuar në Kragujevc, studentët theksojnë se statusi i Kosovës “nuk mund të negociohet”, duke rikthyer retorikën politike që Serbia e ka përdorur prej dekadash.

Analistët vlerësojnë se ky qëndrim dëshmon se ndryshimi i qasjes ndaj Kosovës në shoqërinë serbe mbetet ende i largët, pavarësisht zhvillimeve politike dhe proceseve integruese në rajon.

Sipas tyre, ripërsëritja e këtyre narrativave mund të ndikojë negativisht në përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Po ashtu, konsiderohet se diskurse të tilla rrezikojnë të ushqejnë ideologji nacionaliste që kanë prodhuar tensione dhe konflikte në të kaluarën e Ballkanit.

Në opinionin publik në Kosovë, memorandumi është parë si sinjal se Serbia ende nuk është e gatshme të ndryshojë thelbësisht qasjen e saj ndaj shtetësisë së Kosovës.

Shkodran Imeraj: Memorandumi i studentëve serbë dëshmon vazhdimësinë e narrativës nacionaliste ndaj Kosovës

Lidhur me këtë ҫështje, në një prononcim për ‘Bota sot’ ka folur ish kryetari i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, Shkodran Imeraj.

Profesori universitar Dr.sc. Shkodran Imeraj e konsideron memorandumin e publikuar nga studentët protestues në Serbi si vazhdimësi të diskursit tradicional shtetëror dhe nacionalist serb ndaj Kosovës.

Sipas tij, edhe pse dokumenti nuk vjen drejtpërdrejt nga institucionet shtetërore serbe, ai dëshmon se narrativa politike dhe historike për Kosovën vazhdon të jetë e rrënjosur edhe te gjeneratat e reja në Serbi.

“Publikimi i memorandumit duhet parë si vazhdimësi e diskursit tradicional shtetëror dhe nacional serb ndaj Kosovës. Ai tregon se narrativa historike dhe politike e ndërtuar në Serbi vazhdon të jetë e pranishme edhe te gjeneratat e reja”, deklaron Imeraj.

Ai vlerëson se çështja e Kosovës në shoqërinë serbe ende trajtohet më shumë si çështje identitare dhe emocionale sesa si realitet politik dhe juridik i krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

“Në këtë aspekt, dokumenti reflekton vazhdimësinë e një kulture politike që për dekada është ushqyer me mite historike, narrativa nacionaliste dhe konceptin e Kosovës si ‘djep i shtetit serb’”, thotë ai.

Image
Shkodran Imeraj

Sipas Imerajt, memorandumi dëshmon se ndryshimi i gjeneratave nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe ndryshim të qasjeve politike, sidomos kur sistemi arsimor dhe diskursi publik vazhdojnë të riprodhojnë të njëjtat narrativa historike.

“Ky memorandum mund të interpretohet si tregues se politika serbe ndaj Kosovës, në thelb, mbetet e pandryshuar, pavarësisht ndryshimeve të brendshme politike apo sociale në Serbi”, shprehet profesori.

Ai paralajmëron se diskurse të tilla bartin rrezikun e rikthimit të ideologjive që historikisht kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet ndëretnike dhe stabilitetin e Ballkanit.

“Historia e Ballkanit ka dëshmuar se mohimi i realiteteve politike dhe insistimi në koncepte ekskluzive nacionaliste kanë prodhuar tensione, konflikte dhe pasoja të rënda për popujt e rajonit”, thekson Imeraj.

Në fund, ai vlerëson se rajoni ka nevojë për një qasje më realiste dhe bashkëpunuese, të mbështetur në njohjen e realiteteve politike dhe respektimin e vullnetit të popujve.

“Në vend të rikthimit të diskurseve të së kaluarës, rajoni duhet të ndërtojë marrëdhënie mbi parimet e bashkëpunimit, paqes dhe integrimit evropian”, përfundon ai.

Dashnim Hebibi: Memorandumi i studentëve serbë dëshmon se nacionalizmi ndaj Kosovës po trashëgohet edhe te brezat e rinj

Ndërkaq, Presidenti i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me seli në Zvicër, Ph.D. Dashnim Hebibi, vlerëson se memorandumi i publikuar nga studentët protestues në Kragujevc duhet parë si një sinjal serioz politik dhe shoqëror për mënyrën se si një pjesë e brezit të ri serb vazhdon ta perceptojë çështjen e Kosovës.

Sipas tij, fakti që Kosova përshkruhet si “pjesë e patjetërsueshme dhe integrale e Serbisë” dëshmon se narrativa tradicionale shtetërore serbe vazhdon të ketë ndikim të fortë edhe te gjeneratat e reja.

“Ky memorandum tregon se çështja e Kosovës vazhdon të trajtohet si pjesë e identitetit nacional serb dhe jo si realitet politik i krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, deklaron Hebibi.

Image
Dashnim Hebibi

Ai për “Bota sot” thotë se memorandumi ka rrëzuar pritshmëritë e atyre që besonin se protestat studentore në Serbi mund të sillnin një qasje më moderne dhe më pragmatike ndaj Kosovës dhe rajonit.

“Në vend të një fryme më liberale, po shohim se edhe një pjesë e elitës së re akademike vazhdon të mbështetet në narrativa historike, fetare dhe nacionaliste që kanë dominuar politikën serbe për dekada”, shprehet ai.

Hebibi thekson se problemi nuk lidhet vetëm me presidentin serb, Aleksandar Vuҫiq, por me një kulturë politike dhe identitare të ndërtuar ndër breza.

“Kjo kulturë është ushqyer për vite me radhë nga sistemi politik, mediat, akademia dhe propaganda shtetërore. Për këtë arsye, largimi eventual i Vuçiqit nga pushteti nuk garanton automatikisht ndryshim të qasjes së Serbisë ndaj Kosovës”, thotë Hebibi.

Ai shton se sloganet nacionaliste si “Kosova është Serbi” dhe thirrjet për rikthimin e ushtrisë serbe në Kosovë vazhdojnë të shfaqen në hapësira publike në Serbi, duke krijuar një klimë që normalizon mospranimin e shtetësisë së Kosovës.

“Këto mesazhe nuk janë vetëm simbolike. Ato krijojnë klimë psikologjike dhe politike që e bën më të vështirë ndërtimin e marrëdhënieve stabile në rajon”, vlerëson ai.

Sipas Hebibit, shqetësues mbetet edhe ndikimi që kjo retorikë ka te shqiptarët në Luginën e Preshevës.

“Për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, kjo retorikë shihet si vazhdimësi e një politike përjashtuese ndaj komunitetit shqiptar”, deklaron ai, duke përmendur akuzat për pasivizim adresash, diskriminim institucional dhe mungesë të perspektivës ekonomike.

Ai paralajmëron se ky lloj diskursi rrezikon të riprodhojë narrativa dhe ideologji që historikisht kanë kontribuar në konfliktet e Ballkanit gjatë viteve ’90.

“Kur çështjet territoriale paraqiten si të shenjta dhe të panegociueshme, krijohet terren për radikalizim politik dhe tensione ndëretnike”, thekson Hebibi.

Sipas tij, shqetësues është fakti se kjo retorikë po shfaqet edhe te segmentet studentore dhe akademike, të cilat zakonisht konsiderohen bartëse të reformave demokratike dhe emancipimit shoqëror.

“Kur edhe rinia universitare përqafon narrativa të forta nacionaliste, atëherë problemi është shumë më i thellë sesa politika ditore”, thotë ai.

Megjithatë, Hebibi nënvizon se nuk duhet bërë përgjithësim ndaj gjithë popullit serb, pasi sipas tij në Serbi ekzistojnë individë dhe organizata që kundërshtojnë nacionalizmin dhe kërkojnë pajtim rajonal.

Në fund, ai kërkon që Kosova të reagojë me maturi strategjike dhe të vazhdojë forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe integrimin euroatlantik.

“Kosova duhet të paraqitet si faktor stabiliteti, demokracie dhe orientimi euroatlantik. Përgjigjja ndaj këtyre zhvillimeve nuk duhet të jetë emocionale, por diplomatike dhe strategjike”, përfundon Hebibi për “Bota sot”.

Të Ngjashme