Lajme

Nga qershori deri më tani është shtrenjtuar me 30%/ Çmimi i naftës tjetër rekord, ja me sa lekë shitet litri

Me 30% është rritur çmimi i naftës brenda më pak se tre muaj. Nga 176 lekë që kushtonte një litër naftë më 19 qershor kur qeveria vendosi të ndërpresë funksionimin e Bordit të Transparencës, sot në pikat e pakicës po shitet me 229 lekë litri.

Po ashtu është shtrenjtuar edhe benzina, e cila po u kushton xhepit të qytetarëve 219 lekë për litër nga 166 lekë që ishte në qershor. Pra është rritur me rreth 32% gjatë kësaj periudhe kohore.

Ky shtrenjtim ka ardhur për shkak të tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme, që ka goditur rrugët kryesore të transportit, duke sjellë rënie të fortë të anijeve që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit.

Këto janë çmimet më të larta me të cilat po përballen qytetarët, në kushtet kur në fuqi nuk ka asnjë masë për t’i mbrojtur nga një shtrenjtim i mëtejshëm.

Vendi shpërndau Bordin e Transparencës më 19 qershor, pas 37 vendimeve që mori që kur u ngrit të mars, menjëherë pasi në vend nisën të rriteshin çmimet prej luftës. Po kështu janë shfuqizuar edhe masat e përkohshme për uljen e akcizës dhe të TVSH-së.

Pak ditë më parë ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj tha se Bordi është vetëm për ndërhyrje afatshkurtra në treg.

Ndërkohë të dhënat e INSTAT tregojnë se në gusht çmimet e transportet janë rritur me 12%, shifra më e lartë e regjistruar që nga koha e luftës në Ukrainë.

Aktualisht nafta bruto po kushton mbi 100 dollarë për fuçi, ndërsa në momente të caktuara ka arritur deri në 109 dollarë.

Ndonëse çmimet janë rritur, konsumi i karburantit arriti rekord në gusht me 80 mijë tonë të importuara në një muaj, i ndikuar edhe prej sezonit turistik.

Ndërsa si periudhë 8-mujore të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave tregojnë se janë importuar 488 mijë tonë karburant.

Të Ngjashme