Është era ajo që po favorizon përhapjen e flakëve të zjarrit, të cilat në disa raste, rrezikojnë tu afrohen banesave
Situata me zjarret në vendin tonë duket se po përkeqësohet, teksa disa vatra janë aktive për të disatën ditë.
Pas Gjirokastrës, ku flakët kanë përfshirë masivin e pishave në lagjen Gërhot, edhe në Shëngjin situata është përkeqësuar. Mësohet se flakët e zjarrit në fshatin Mal po përhapen me shpejtësi, duke rrezikuar dhe banesat. Është era ajo që po favorizon përhapjen e flakëve të zjarrit, të cilat kanë arritur deri në zonën e Ranës së Hedhun. Për të vënë situatën nën kontroll, është kërkuar ndërhyrje nga ajri, me helikopter.
Nga ana tjetër, një vatër zjarri e përmasave të mëdha ka përfshirë një pjesë të masivit pyjor të Zavalinës në Njësinë Administrative Gjinar të Bashkisë së Elbasanit.
Burime zyrtare konfirmuan se vënia e flakëve nën kontroll për momentin është mjaft e vështirë. Kjo për faktin se zona e ”pushtuar” nga flakët ndodhet në një terren të vështirë malor. Në vendngjarje ndodhen zjarrfikësit si edhe forcat e ushtrisë dhe të emergjencave civile.
Ky është zjarri më i madh që ka përfshirë gjatë kësaj vere pyjet e Qarkut të Elbasanit, ndërkohë që po punohet me forca të shumta për izolimin e tij .