1
Një përplasje fizike mes një mësimdhënësi dhe një grupi nxënësish në shkollën fillore të mesme të ulët “Pavarësia” në Prishtinë ka ngritur reagime të menjëhershme nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria, pasi pamjet e pjesshme të incidentit u publikuan në rrjete sociale.
Në videon e shpërndarë, shihet një konflikt i drejtpërdrejtë mes mësimdhënësit dhe një nxënësi. Pas publikimit të pamjeve, mësimdhënësi është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.
Mirëpo, psikologu i shkollës, Nazim Mahmuti, ka dhënë një version të ndryshëm të ngjarjes.
Në një deklaratë për Telegrafin, ai ka pohuar se mësimdhënësi është sulmuar nga një grup prej rreth dhjetë nxënësish dhe se reagimi i tij ka qenë akt vetëmbrojtjeje.
Sipas Mahmutit, incidenti ka ndodhur në sallën e arsimtarëve, një hapësirë pa kamera sigurie, të cilën nxënësit e kanë zgjedhur pikërisht për këtë arsye.
Ai thotë se pamjet e publikuara tregojnë vetëm momentin e fundit të përplasjes, duke krijuar një perceptim të njëanshëm të ngjarjes.
Psikologu ka pohuar gjithashtu se nxënësi i përfshirë në video nuk është nxënës i mësimdhënësit dhe ka pasur më herët masa të shumta disiplinore për sjellje problematike.
Sipas tij, konflikti nisi pasi nxënësi e fyeu dhe e shau mësimdhënësin, i cili ndodhej në shkollë duke përgatitur aktivitete për Ditën e Shkollës të planifikuar më 16 shkurt.
Mahmuti ka shtuar se mësimdhënësi në fjalë njihet si një nga arsimtarët më korrekt dhe më të përkushtuar në institucion, ndërsa nxënësi ka një dosje me mungesa të shumta, vërejtje dhe sjellje të papërshtatshme ndaj stafit arsimor.
Policia dhe Prokuroria pritet të vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit./Telegrafi/