Zbardhen detaje tronditëse nga ngjarja e rëndë që ndodhi në Malishevë të Kosovës, ku një grua, e cila ishte 34 javëshe u vra me armë zjarri. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës në fshatin Kërvasari. Për krimin makabër akuzohet bashkëshorti i saj, i cili është gjetur i plagosur në dhomën e tyre të gjumit, ndërsa ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në spital. Sipas informacioneve burri ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij Jetlira Foniqi e moshës 25-vjeçare. Lidhur me rastin janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës.
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi deklaroi se njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku në një dhomë gjumi kanë gjetur dy persona të plagosur, një burrë dhe bashkëshortja e tij.Po ashtu sipas njoftimit të QKUK-së, rreth orës 00:15 të datës 24 gusht 2026, në Qendrën Emergjente janë pranuar dy persona nga rajoni i Malishevës. “Njëri prej personave të pranuar, femër, 25-vjeçare, ka arritur në Qendrën Emergjente pa shenja jete, me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit. Personi tjetër, mashkull, 26-vjeçar, është pranuar me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit dhe aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente. Gjendja e tij shëndetësore raportohet të jetë shumë e rëndë.”, thuhet në njoftim.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të kësaj ngjarjeje janë duke vazhduar.
