Lajme

Ngjarja në Pogradec/ Zbardhet dëshmia e personit që ishte ulur në tavolinë me autorin e krimit: Isha i dehur…

Një tjetër dëshmi është zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë në Pogradec, ku Denis Meçe goditi për vdekje 42-vjeçarin Egli Proga. Në dosjen e prokurorisë, një nga personat që ishte i ulur në tavolinë me Meçen natën e krimit, ka rrëfyer momente nga ngjarja, por ka deklaruar se nuk e ka parë kush e ka goditur 42-vjeçari pasi ka qenë në gjendje të dehur.

“Në tavolinën ku isha ulur unë, erdhi dhe Denis Meçe. Qëndruam për disa orë në lokal dhe pimë disa birra. Kam parë se Denisi është çuar nga tavolina dhe nuk e kam vënë re se ku shkoi, a u fut në lokal apo u largua. Ndërkohë unë kam qenë i ulur në tavolinë në atë moment, vetëm me Arjanin dhe kam dëgjuar një zonjë që bërtiste; ‘sillini ujë dhe njoftoni ambulancën’. Unë jam çuar nga tavolina dhe kam parë nga pas makinës time që ndodhej pronari i lokalit, Voltani, i ulur në gjunjë dhe në prehër mbante Eglin të cilit po i hidhte ujë në qafë. Pashë se Egli ishte i zverdhur në fytyrë.

Në atë moment janë mbledhur shumë njerëz dhe kam dëgjuar nga njerëzit e grumbulluar që Eglin e kishte goditur Denis Meçe. Më erdhi çudi pasi Denisi ishte me ne në tavolinë para se të ndodhte kjo situatë. Kam shikuar rreth e rrotull vendit, por Denisin nuk e kam parë aty. Në atë momente erdhi dhe policia. Më ka thënë ajo zonja që ta çoja Eglin me makinë në spital, por më kanë thënë se kishin lajmëruar ambulancën që të vinte ta merrte. Ambulanca ka ardhur pas 10 minutash. Nuk e kam parë se kush e ka goditur Eglin. Kam qenë i dehur”, ka thënë ai në dëshminë para hetuesve.