Gjatë muajit të Ramazanit në Kosovë, shoqata “Bereqeti”, e cila funksionon në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, ka ndihmuar mbi 25 mijë familje me pako ushqimore.
Kjo shoqatë, gjatë muajit të shenjtë, ka arritur të ndihmojë deri në 700 familje brenda një dite, falë mbështetjes së donatorëve të saj.
Sipas përfaqësuesve të shoqatës, këtë vit është shënuar rritje e numrit të kërkesave për ndihmë, si pasojë e ngritjes së çmimeve të produkteve esenciale. Megjithatë, ata e konsiderojnë befasues edhe shtimin e numrit të donatorëve nga Kosova, përfshirë kontribute nga paga, pensione dhe biznese.
Drejtori i Shoqatës “Bereqeti”, Xheladin Fazliu, ka deklaruar për KosovaPress, se gjatë muajit të Ramazanit e kanë intensifikuar aktivitetin humanitar, duke arritur të ndihmojnë mijëra familje me ushqime dhe iftare, falë mbështetjes së vazhdueshme të donatorëve.
“Ne si shoqatë humanitare që funksionon në kuadër të Bashkësisë Islame, gjatë muajit të Ramazanit e shtojmë aktivitetin tonë humanitarë dhe jemi jashtëzakonisht të kënaqur që kemi bërë një punë të shkëlqyer gjithherë falë donatorëve tanë. Përmbi 25 mijë familje ne u kemi ndihmuar me pako ushqimore, iftar dhe ushqime të ndryshme, sepse gjatë muajit të Ramazanit më shumë kërkesat janë për ushqime”, ka thënë Fazliu.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se shoqata operon me 30 koordinatorë në nivel vendi dhe mbështetet nga donatorë të ndryshëm ndërkombëtarë dhe vendorë.
“Shoqata jonë funksionon me tridhjetë koordinatorë që ka nivel vendi. Kemi donatorë të rregullt që na mbajnë neve që është qendra e mbretit Selman nga Arabia Saudite që na mbështet 700 jetimë brenda vitit apo që çdo muaj u jep nga 50 euro, pastaj kemi drejtorinë e vakëfeve të Republikës së Turqisë që na mbështesin me 6 mijë pako dhe ndihma të tjera. Nga Emiratet e Bashkuara Arabe por kemi donacione edhe nga mërgata dhe të bizneseve në Kosovë që janë të mëdha që na mbështesin. Kemi edhe njerëz që nga paga e tyre e pensionist ndajnë diçka për shoqatën”, ka shtuar ai.
Fazliu ka theksuar se rritja e çmimeve ka ndikuar drejtpërdrejt në shtimin e nevojave të qytetarëve.
“Këtë muaj ka pasur shumë kërkesa për artikuj më esencial dhe numri i nevojtarëve që kërkojnë ndihmë te ne, ka ardhur si rezultat i ngritjeve të çmimeve të cilat për një familje ka shkuar kosto shumë për gjërat esenciale të familjes dhe kjo ka bërë që neve të na shtohen kërkesat. Ne besojmë që kur një familje ka faturë të energjisë elektrike pastaj edhe dikush ka edhe qira, këto ndihma tona që i dhurojmë janë modeste por një lloj infuzioni që e quajmë ne që ata sado pak ta kalojnë më lehtë muajin. Fokusi është më shumë tek ne në muajin e dimrit, kur kërkesat janë më të shpeshta”, ka thënë Fazliu.
Shoqata “Bereqeti” i përzgjedh përfituesit nga listat e drejtorive komunale të mirëqenies sociale.
Gjatë vitit 2025, shoqata ka shpërnda ndihma të ndryshme me vlerë mbi 10 milionë euro.
