Lajme

Nimani: Pragu zgjedhor prej 5 për qind ishte i pakalueshëm për Nismën, Parlamentit do t’i mungojë zëri i Limajt

Përfaqësuesi i Nismës Socialdemokrate, Artan Nimani, ka folur për moskalimin e pragut zgjedhor nga kjo parti në zgjedhjet e fundit, duke e cilësuar rezultatin si verdikt të sovranit.

Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Nimani tha se sistemi elektoral në Kosovë, me pragun prej 5 për qind, këtë herë ka qenë i pakalueshëm për Nismën.

“Pragu prej 5 për qind ka qenë i pakalueshëm kësaj radhe. Ky është rezultati, sovrani ka vendosur që Nisma të mos jetë në Parlament. Mendoj se Parlamentit të Kosovës do t’i mungojë zëri i Nismës, në veçanti zëri i z. Fatmir Limaj, por ky është verdikti i popullit dhe nuk kemi çfarë të themi”, ka deklaruar Nimani.

Ai ka shtuar se pavarësisht përpjekjeve për organizim, rezultati mbetet një sfidë e madhe për një parti të vogël.

“Jemi munduar të organizohemi sa më mirë që kemi mundur. Për mua personalisht kjo është një sfidë shtesë, sepse një parti e vogël, pa infrastrukturë dhe pa financa, sidomos duke pasur parasysh zgjedhjet e para në vitin 2025, është një sfidë e jashtëzakonshme, jo vetëm për ne, por edhe për partitë e mëdha, e lë më për strukturën tonë, e cila megjithatë është solide”, ka thënë Nimani.

Ai ka pranuar se rezultati ka qenë i papritur edhe për vetë Nismën.

“Edhe për ne ka qenë shumë shokuese rezultati”, ka përfunduar Nimani.

Të Ngjashme