ShowBizzz

Nisur nga një batutë e “keqkuptuar”, Luiz Ejlli dhe Eno Popi nuk i kursyen “thumbat” ndaj njëri-tjetrit në skenën e “DWTS”

Mbrëmjen e djeshme nisi sezoni i dytë i “Dancing With the Stars” në Top Channel, ku mes shkëlqimit të spektaklit, prezantimit të konkurrentëve në skenë dhe komenteve “pikante” të jurisë, pati edhe një “mini-dramë” mes dy personazhesh që në fakt, nuk pritej.

Po flasim për Eno Popin, që në sezonin e dytë radhazi është krah Bora Zemanit në prezantimin e programit dhe Luiz Ejllit, fituesit të “BBVIP 2”, që pati një performancë speciale gjatë spektaklit, teksa këndoi për herë të parë këngën e tij të re dhe njëkohësisht kolonën zanore të filmit “Në Kuadër të Dashurisë”, ku ai edhe luan. Në performancën e tij, Luizi u shoqërua nga “kolegia” e tij në film, Sara Hoxha, fituese e edicionit të vjetshëm të “DWTS”, e cila dhuroi një performancë mjaft të bukur surprizë dhe pikërisht nga kjo (në mënyrë indirekte) nisi edhe shkëmbimi i “kunjave” mes Enos dhe Luizit.

Për pak kontekst, mëngjesin e djeshëm, i ftuar në “Wake Up”, teksa zbulonin surprizat e mbrëmjes, Eno bëri një batutë për performancën e Sarës, që deri në atë moment ishte sekret. Ai tha se Luizi do të shoqërohej në skenë nga “fisi i gruas”, nisur nga rolet që këngëtari dhe influencerja kanën në film (Sara është kunata e Luizit në komedi).

Kjo batutë, për të cilën Eno e parashkoi që nuk do kalonte pa u vënë re, u bë shkak që Luizi pas performancës së tij mbrëmjen e djeshme, të ftonte edhe fisin e gruas së moderatorit nga Kanadaja, për në premierën e filmit në “Kuadër të Dashurisë”. Me gjasë, vetë këngëtari por edhe fansat e tij, kanë menduar se batuta e Enos kishte të bënte me Kiarën (ose ishte referencë për dasmën e tyre në reality show), të paktën kështu është parë që është interpretuar në rrjetet sociale, gjë që e shtyu edhe të reagojë.

Megjithatë, Eno ja doli sërish që të kundëpërgjigjej, me një tjetër “kunjë”, duke thënë se fisi i gruas së tij do të vijnë patjetër në premierë, pasi janë “fansa të Oltës”, referuar rivalitetit që këngëtari kishte me aktorin në “BBVIP”.

Pra le të themi që Eno ishte gati për cdo skenar batute dhe ndoshta është një nga të vetmit persona që e lanë Luizin pa fjalë më mbrapa, edhe pse jemi të sigurtë se shkëmbimi i “kunjave” ka qenë në “kuadër të spektaklit”.