Lajme

Një 9 vjeçare dyshohet se u dh*nua në Pejë, një tjetër e mitur në Prishtinë

Dy raste të rënda të dhunës seksuale dyshohet se kanë ndodhur në Kosovë në dy ditët e fundit.

Për më tepër të dy viktimat janë fëmijë, të mitura.

Në një rast në Pejë, dyshohet se një fëmijë 9 vjeçar është dhunuar dhe kjo është konfirmuar nga prokuroria.

Suada Hamza – Prokurorja e rastit tha se ” Është e mitur, 9-vjeçare. Ka të arrestuar, ia kemi bërë kërkesën për paraburgim sot. Po i presim hetimet. E kemi bërë edhe kërkesën për ekzaminim të vajzës”.

Kurse, një 15 vjeçare dyshohet të jetë dhunuar nga pesë persona, mesnatën mes së shtunës dhe së dielës.

Për ngjarjen e cila raportohet të ketë ndodhur në rrugën “Tirana” në Prishtinë, në një objekt të braktisur, policia është treguar e rezervuar me detajet.

“DHUNIM/ Prishtinë / 03.11.2024 – 01:00. Lidhur me rastin e lartcekur Policia e Kosovës në bashkëpunim me prokurorinë kompetente është duke bërë hetime intensive. Me vendim të prokurorit viktima femër kosovare është dërguar për ekzaminim mjekësor”, thuhet në raportin e PK-së.

Policia nuk ka dhënë detaje nëse ka të dyshuar lidhur me rastin dhe as të arrestuar.

Televizioni ka tentuar të flas direkt me zëdhënësin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Skender Govorin. Por i njëjti ka qenë i paqasshëm.

Ekzaminimin mjekësor, e mitura besohet se e ka marr në IML por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e televizionit.

E sipas shoqërisë civile, Gjykatat nuk pop bëjnë punën e tyre si duhet në raport me kryerësit e veprave penale.

Neri Ferizi, Aktiviste për të drejtat e njeriut

Siç mëson televizioni, e mitura nuk është nga Prishtina dhe pas ekzaminimit mjekësor, është dërguar për në shtëpi.

E nga RRGK, kanë kërkuar drejtësi dhe veprim të menjëhershëm.

Rrjeti i Grave të Kosovës reagimi: Rrjeti i Grave të Kosovës është thellësisht e indinjuar nga rasti i tmerrshëm ku një e mitur dyshohet se është dhunuar nga pesë persona. Kjo ngjarje tronditëse, sipas mediave lokale, përfshin drogimin dhe më pas dhunimin e të miturës nga pesë persona. Kjo është shkelje e rëndë e të drejtave por edhe dinjitetit njerëzor, e për më tepër duhet të jetë thirrje urgjente për veprim nga të gjitha institucionet dhe shoqëria jonë. Ne nuk duhet të lejojmë që këto akte të ndodhin në vendin tonë. Prandaj, RrGK i bën thirrje organeve të drejtësisë që të veprojnë me vendosmëri dhe urgjencë, duke siguruar hetime të hollësishme dhe të shpejta për zbardhjen e plotë të rastit dhe për ndëshkimin maksimal të kryerësve, në përputhje me ligjin. Ky rast duhet të shërbejë si një paralajmërim i qartë për të gjithë, se dhuna ndaj të miturve nuk do të tolerohet kurrsesi, sikurse asnjë formë tjetër e dhunës. RrGK po ashtu kërkon që institucionet të tregojnë ndjeshmëri të lartë ndaj viktimës dhe të ofrojnë mbështetje të plotë për të dhe familjen e saj, duke garantuar siguri dhe përkujdesje – gjithashtu, drejtësia të jetë e pakompromis dhe e menjëhershme. Po ashtu, është urgjente që të angazhohen në përmirësimin e masave mbrojtëse për të miturit, për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla.

RRGK ka kërkuar përmirësim të masave mbrojtëse për të miturit, ashtu që raste të kësaj natyre të parandalohen.