Kuriozitete

Një autor pretendon se kolonia e humbur e Roanokes nuk ka humbur

Misteri i kolonisë së humbur të Roanokes është një nga enigmat më të hershme të Amerikës. Para themelimit të Xhejmstaunit dhe revolucionit amerikan, anglezët ngritën një koloni në atë që sot është Karolina e Veriut. Për shkak të mungesës së furnizimeve dhe përplasjeve të mundshme me vendasit, një përfaqësues i kolonisë u kthye në Angli për ndihmë. Por lufta me Spanjën vonoi ndihmën për tre vjet. Kur u kthyen, kolonia ishte bosh.

E vetmja gjurmë: një fjalë e gdhendur: CROATOAN.

Tani, autori dhe muzeologu Scott Dawson thotë se kolonia nuk u zhduk aspak dhe se gjithçka ishte një “fushatë marketingu”. Ai, së bashku me arkeologun dhe prezantuesin televiziv Mark Horton, ka zbuluar grimca metali të oksiduar në ishullin Hatteras (ish-Croatoan), të njohura si “hammerscale”, mbetje të farkëtimit të hekurit që vendasit nuk mund t’i kishin prodhuar, sipas tyre. Anglezët, nga ana tjetër, po.

Kjo, sipas Hortonit, është prova vendimtare që dëshmon se kolonët u bashkuan me fisin Croatoan dhe u integruan në komunitetin e tyre. Dawson shton se “narrativa e kolonisë së humbur ishte një trillim”, dhe tani ka prova empirike për ta mbështetur këtë.

Për më shumë se një dekadë, Dawson dhe Horton kanë gërmuar në zonën Buxton të ishullit Hatteras dhe kanë gjetur objekte europiane si armë dhe monedha. Megjithatë, ata besojnë se “hammerscale” është më domethënës, pasi monedhat dhe majat e shpatave mund të ishin marrë edhe përmes tregtisë. Farkëtimi, megjithatë, tregon prezencë të përhershme angleze.

Teoria që kolonët u bashkuan me fiset vendase nuk është e re, por Dawson dhe Horton mendojnë se tani ajo mund të konsiderohet e vërtetuar.

Megjithatë, nuk janë të vetmit që pretendojnë zgjidhjen e misterit. Në vitet 2010, një tjetër grup arkeologësh nga First Colony Foundation zbuloi në një hartë 400-vjeçare një vend të fshehur, të quajtur Site X, larg Roanokes. Gërmimet aty treguan që ndoshta një pjesë e kolonëve u drejtuan në veri, jo në Hatteras.

Pra, a është zgjidhur misteri? Mbase po, por tani sfida qëndron në cilën teori do pranojmë si përfundimtare. / Popular Mechanics – Syri.net

Të Ngjashme