Pacientët e verbër ia kanë dalë të lexojnë sërish falë një çipi të vogël të vendosur pas syrit dhe syzeve speciale, shkruan një studim i publikuar në New England Journal of Medicine.
Në eksperiment morën pjesë 38 pacientë nga Europa, të gjithë në një fazë të përparuar të një sëmundjes AMD, e njohur ndryshe si atrofia gjeografike.
Nuk ka asnjë trajtim për AMD, e cila nxitet nga ndryshimet në makulën e retinës dhe shkaktohet nga inflamacioni dhe grumbullimi i papastërtive. Qelizat fotoreceptore në makulë janë përgjegjëse për të përftuar imazhe të pastra, të qarta dhe me ngjyrë. Kur sëmundja kalon në fazën e atrofisë gjeografike, qelizat degradojnë dhe vdesin duke shkaktuar humbjen e shikimit parësor që do të thotë se një objekt mund të duket i turbullt ose me një njollë të zezë.
Pjesëmarrësit në studim kishin një mesatare moshe 79 vjeç. Atyre iu vendos një pajisje e quajtur PRIMA, një sistem për të imituar shikimin. Pacientët mbajnë syze AR (Augmented Reality) me kamera që regjistron fushëpamjen vizuale. Ajo që kamera “sheh” i dërgohet çipit të vendosur pas syrit në trajtë drite infra të kuqe. Çipi kthen dritën në rrymë elektrike që stimulon qelizat e shëndetshme që kanë mbetur në makulë duke i mundësuar trurit të interpretojë sinjalet që ato dërgojnë.
Një përpunues imazhi që pacientët duhet të mbajnë, i lejon ata të zmadhojnë objektet që shohin, të cilat shfaqen bardhë e zi.
Me ndihmën e PRIMA, 80% e pacientëve të testuar kishin pësuar përmirësime në shikim. Ata kishin pasur edhe efekte anësore, por kjo për shkak të ndërhyrjes në sy. Brenda dy muajsh, situata ishte qetësuar. Ndërhyrja që nevojitet për implantimin e çipit në sy kërkon aftësi të shkëlqyera kirurgjikale dhe përmban rreziqe.
Pajisja mund të përmirësohet në vitet e ardhshme për të rritur numrin e pikselave në çip nga 400 në 10 mijë. Çipet e reja janë testuar te minjtë dhe po prodhohen për testet klinike te njerëzit. Me ndihmën e kamerës, shkencëtarët shpresojnë në rikthimin e shikimit të plotë.
Ata mendojnë se pajisja mund të provohet për sëmundje të tjera të retinës që shkaktojnë verbëri, si Stargardt, e cila ka ngjashmëri me AMD, por është gjenetike dhe zakonisht prek moshat e reja.
