Një defekt teknik në sistemet e komunikimit radio ka shkaktuar ndërprerje serioze të operacioneve ajrore në aeroportet e gjithë vendit që prej orës 09:30 të mëngjesit të së dielës. Si pasojë, uljet dhe ngritjet e avionëve janë bllokuar, duke paralizuar qarkullimin ajror.
Problemi lidhet me sistemet qendrore të kontrollit të trafikut ajror, të cilat menaxhojnë komunikimin përmes radio-frekuencave. Situata prek të gjitha fluturimet që nisen ose mbërrijnë në Greqi.
Shërbimi i Aviacionit Civil ka njoftuar se pezullimi i fluturimeve do të vijojë deri në një njoftim të dytë, ndërsa kapaciteti i operimeve ajrore është ulur ndjeshëm. Në fillim u lejua vazhdimi i fluturimeve që ndodheshin tashmë në ajër, por aktualisht nisjet janë bërë pothuajse të pamundura.
Më i godituri është aeroporti “Eleftherios Venizelos” në Athinë, për shkak të fluksit të lartë të fluturimeve, sidomos në këtë periudhë të ngarkuar.
Probleme janë raportuar edhe në aeroportet rajonale, ndërsa disa avionë janë detyruar të devijojnë drejt aeroporteve alternative.
/tiranapost
