Shëndetësi

Një eko e thjeshtë e qafës mund të zbulojë atakun në zemër tek të moshuarit

Një studim i ri sugjeron se një skanim i thjeshtë i qafës, mund të ndihmojë në identifikimin e shenjave të hershme paralajmëruese të pamjaftueshmërisë së zemrës tek burrat.

Metoda – e ngjashme me ultratingujt e ofruar gjatë shtatzënisë – është “e sigurt, e lirë dhe pa dhimbje” dhe është diçka që mjekët e përgjithshëm mund ta marrin në konsideratë t’ua ofrojnë pacientëve mbi 60 vjeç, thanë studiuesit.

Skanimi, i njohur si ultratinguj karotide, zgjat midis 15 dhe 30 minutash dhe kryhet duke përdorur një pajisje të vogël dore që lëviz butësisht mbi qafë.

Kjo i lejon mjekët të shohin fleksibilitetin e arterieve karotide, enët kryesore që furnizojnë me gjak trurin, fytyrën dhe qafën.

Arteriet e mëdha në trup janë elastike, por mund të ngurtësohen me sëmundje të caktuara dhe moshën, duke çuar në presion të lartë të gjakut, dështim të zemrës dhe një rrezik në rritje të atakut në zemër dhe goditjes në tru.

Studimi, i udhëhequr nga University College London (UCL), përfshinte 1,631 burra të moshës 71 deri në 92 vjeç.

Një e katërta e atyre me arteriet më pak fleksibile të përfshira në analizë kishin 2.5 herë më shumë gjasa të zhvillonin dështim të zemrës krahasuar me ata me arteriet më fleksibile.

Studiuesit përdorën të dhëna nga Studimi Rajonal Britanik i Zemrës, i cili filloi në vitet 1970, dhe nevojiten më shumë kërkime për të përcaktuar nëse metoda funksionon te gratë.

Dr. Atinuke Akinmolayan, një bashkëpunëtor klinik akademik i Institutit Kombëtar për Kërkime Shëndetësore dhe të Kujdesit (NIHR), i cili drejtoi hulumtimin nga UCL dhe tani është mjek i përgjithshëm, tha: “Ekzaminimi me ultratinguj i arterieve karotide është i sigurt, i lirë dhe pa dhimbje, dhe gjetjet tona sugjerojnë se mund të jetë në gjendje të ofrojë një shenjë paralajmëruese të hershme për dështimin e zemrës.”

“Nevojiten më shumë kërkime, veçanërisht për të parë nëse kjo funksionon për gratë, por kjo është diçka që mjekët e përgjithshëm mund ta shqyrtojnë për t’ua ofruar njerëzve mbi moshën 60 vjeç, aty ku është e mundur dhe besohet se është e nevojshme.”

“Një pacient që merr një rezultat me ultratinguj që tregon se mund të jetë në rrezik më të lartë për dështim të zemrës në të ardhmen mund të zhvillojë një bisedë të rëndësishme me mjekun e tij, në lidhje me ndryshimet në stilin e jetës që mund të bëjë për të ulur atë rrezik.”

Sëmundjet kardiovaskulare janë burimi i rreth një të tretës së të gjitha vdekjeve globale, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Fondacioni Britanik i Zemrës (BHF), i cili financoi pjesërisht hulumtimin, vlerëson se rreth 920,000 njerëz në Mbretërinë e Bashkuar jetojnë me pamjaftueshmëri kardiake.

Ekspertët thonë se pamjaftueshmëria kardiake është një problem i shëndetit publik që po rritet me shpejtësi, me një prevalencë të vlerësuar prej 64 milionë njerëzish në nivel global.

Diku tjetër, studimi, i botuar në Journal of the American Heart Association, shqyrtoi trashësinë e arterieve karotide.

Studiuesit zbuluan se burrat me enë më të trasha të gjakut. kishin më shumë gjasa të pësonin atak në zemër.

Për çdo rritje prej 0.16 milimetrash në trashësi, rreziku i atakut në zemër rritet me rreth 29%, sugjeron studimi.

Profesori Bryan Williams, zyrtari kryesor shkencor dhe mjekësor në BHF, tha: “Gjetjet e këtij studimi janë interesante dhe tregojnë se ngurtësimi i arterieve shoqërohet me rritje të rrezikut të pamjaftueshmërisë kardiake, me shumë mundësi për shkak se zemra duhet të punojë më shumë kundër rezistencës së shkaktuar nga këto arterie më të ngurta.”

“Është një sinjal i rëndësishëm që sa herë që zbulojmë ndryshime të tilla në arteriet karotide, duhet të mendojmë edhe për ndikimin e mundshëm në zemër dhe një rrezik në rritje të pamjaftueshmërisë kardiake, të cilin kemi strategji trajtimi për ta parandaluar.”

Një studim i veçantë, i udhëhequr gjithashtu nga UCL, sugjeron se një skanim 10-minutësh mund të ndihmojë miliona njerëz me presion të lartë të gjakut, i cili është i vështirë për t’u trajtuar.

Ai synon ata që kanë një problem me gjëndrat mbiveshkore që prodhojnë shumë nga hormoni aldosteron, i cili rregullon nivelet e kripës në trup.

Ky problem vlerësohet se prek rreth një të katërtën e njerëzve me presion të lartë të gjakut.

Skanimi, i zhvilluar nga UCL, është projektuar për të zbuluar mbiaktivitetin në gjëndrat mbiveshkore që mund të mos vihet re nga testet tradicionale./ DPA News.