Shëndetësi

Një ekspert i vrapimit shpjegon si të zgjidhni atletet e duhura për këmbët tuaja

Zgjedhja e një pale atlete për vrapim mund të duket si një mision i pamundur. Pavarësisht nëse dikush po përgatitet për programin “nga divani në 5 km” apo synon një maratonë të plotë, shpesh pengesa e parë është pikërisht përzgjedhja e këpucëve të duhura.

Si për fillestarët, ashtu edhe për vrapuesit me përvojë, tregu i atleteve është kthyer në një fushë të minuar: dhjetëra marka, teknologji “unike”, materiale të reja, terma teknikë si heel drop, stability, overpronation, si dhe dilema mes shollëve të trasha apo atleteve minimaliste. Gjetja e këpucës së duhur duket pothuajse si shkencë më vete.

Sipas fizioterapistit londinez dhe vrapuesit të apasionuar Ben Lombard, ekzistojnë mënyra të qarta për të kuptuar se çfarë atlete ju duhen, pa provuar gjysmën e dyqanit dhe pa shpenzuar pa kriter.

Qëllimi i përdorimit

Hapi i parë është të dihet qartë se për çfarë do të përdoren atletet.

Për fillestarët ose për ata që kërkojnë një palë të rehatshme për përdorim të përditshëm, rekomandohen atlete neutrale me amortizim të mirë. Këto këpucë janë relativisht të lehta dhe nuk kanë elementë shtesë stabilizues.

Amortizimi – mbushja në shollë – është thelbësor sepse thith dhe shpërndan forcën që kalon në trup sa herë këmba prek tokën. Ai redukton stresin në nyje dhe ndihmon në parandalimin e dëmtimeve. Për vrapuesit që ushtrohen shpesh, sa më i mirë amortizimi, aq më pak ngarkesë për gjunjët, ijet dhe kyçet.

Vrapimi është një sport me impakt të lartë dhe çdo ulje mbi këmbë ngarkon trupin. Nëse një pjesë e këtij presioni absorbohet nga këpuca, vrapuesi mund të stërvitet më shumë pa pasur nevojë për pushime të shpeshta për shkak dëmtimesh.

Për vrapuesit më të avancuar ose ata që përgatiten për gara, këpucët me teknologji pllake karboni janë një alternativë. Këto atlete përmbajnë një shtresë të hollë fibrash karboni që rrit efikasitetin e vrapimit, ul humbjen e energjisë dhe ndihmon shtytjen përpara. Megjithatë, ato nuk rekomandohen për përdorim të përditshëm, pasi ndihma e tepërt mund të pengojë zhvillimin e forcës natyrale.

Stili i vrapimit

Çdo vrapues ka një stil të ndryshëm, që lidhet me pjesën e këmbës që prek tokën e para. Më të zakonshmit janë ata që bien mbi thembër dhe ata që ulen mbi pjesën e përparme të këmbës.

Të qenët “heel striker” nuk është domosdoshmërisht gabim, por mund të rrisë ngarkesën në gju. Nga ana tjetër, vrapuesit profesionistë shpesh bien mbi pjesën e përparme të këmbës, duke aktivizuar mekanizmin natyror të sustës së këmbës dhe duke rritur shpejtësinë.

Atletet me diferencë më të vogël mes thembrës dhe pjesës së përparme (low drop) nxisin uljen mbi pjesën e përparme të këmbës dhe aktivizojnë më shumë muskujt e pulpës. Ndërsa atletet me high drop ofrojnë më shumë mbrojtje për thembrën dhe janë të përshtatshme për ata që nuk duan ose nuk mund ta ndryshojnë stilin e tyre.

Gabimi më i rrezikshëm, sipas Lombard, është overstride – kur këmba ulet shumë përpara trupit. Kjo krijon goditje jo natyrale që përhapen deri në ije dhe janë shkak i shpeshtë dëmtimesh, sidomos te fillestarët. Në këto raste, asnjë këpucë nuk mund ta zgjidhë problemin pa korrigjim teknik dhe ushtrime për forcim.

Madhësia

Zgjedhja e madhësisë së saktë është po aq e rëndësishme. Këmba fryhet dhe shtrihet gjatë vrapimit, sidomos në distanca të gjata. Për këtë arsye, shpesh rekomandohet zgjedhja e një gjysmë ose një numri më të madh.

Mosrespektimi i kësaj këshille është arsyeja pse shumë vrapues përjetojnë dhimbje në shputë ose humbje të thonjve pas garave të gjata. Megjithatë, kjo varet edhe nga marka, pasi disa modele janë më të ngushta dhe të tjera më të gjera.

Lidhëset

Edhe lidhëset luajnë rol. Shtrëngimi i tepërt i tyre mund të shkaktojë inflamacion të tendinave në pjesën e sipërme të këmbës. Për ata që kanë përjetuar dhimbje të tilla, atletet me sistem mbylljeje alternative ose teknologji që shpërndajnë presionin janë një zgjidhje më e mirë.

Atlete për meshkuj dhe femra

Shumica e atleteve të vrapimit janë projektuar dhe testuar kryesisht mbi atletë meshkuj, pavarësisht dallimeve biomekanike mes gjinive. Studime të fundit tregojnë se shumë gra kanë nevojë për hapësirë më të madhe për gishtat, thembër më të ngushtë dhe më shumë amortizim.

Nevojat e grave ndryshojnë gjithashtu gjatë jetës, përfshirë shtatzëninë, periudhën pas lindjes dhe moshën e tretë. Për këtë arsye, po shfaqen gjithnjë e më shumë modele të dizajnuara posaçërisht për këmbët e grave, që ofrojnë rehati, stabilitet dhe përshtatje më të mirë.

Lëndimet t e mëparshme

Historia e dëmtimeve është faktor kyç në zgjedhjen e atleteve. Personat me probleme në kyçe ose shputë përfitojnë nga atletet stabilizuese, të cilat ofrojnë mbështetje shtesë dhe reduktojnë ngarkesën mbi muskujt e dobësuar.

E njëjta vlen edhe për vrapuesit më të moshuar ose ata me artrit në gjunjë apo kyçe. Në këto raste, atletet me amortizim maksimal dhe diferencë të lartë në thembër ndihmojnë në përthithjen e goditjeve dhe mbrojtjen e nyjeve.

Në përfundim, zgjedhja e atleteve të duhura nuk ka të bëjë me modën apo markën, por me nevojat reale të këmbës, stilin e vrapimit dhe historinë shëndetësore të çdo individi.  

Të Ngjashme