Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian Kati Schneeberger, e ka quajtur “përpjekje të dështuar” konferencën e fundit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, lidhur me Kosovën.
Vuçiq në konferencën e mbajtur një javë më parë, popullit serb ia përcolli 7 kërkesa, të cilat i vlerësoi si parakushte të domosdoshme për një përparim domethënës” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Fillimisht, ishte paralajmëruar se Vuçiq, do të shpallte pushtimin e veriut të Kosovës. Por, ai tha se nuk ekziston asnjë zgjidhje e kënaqshme për serbët për “problemin e Kosovës”.
Kati Schneeberger
Sipas aktivistes nga Austria, kërkesat e presidentit serb, nuk i interesojnë askujt, pos marionetave të tij. Përmes tyre, siç ka thënë Schneeberger për gazetën “Bota sot”, Vuçiq po synon të shkaktojë trazira dhe të minojë punën e Qeverisë së Kosovës.
“Kushtet e Vuçiqit janë një tjetër përpjekje e dëshpëruar për ta bërë veten të duket i rëndësishëm. Por kërkesat e tij nuk i interesojnë askujt në Republikën e Kosovës dhe as shumicës së serbëve, përveç kukullave dhe marionetave të tij.
Të bërtiturat e tij nuk u ndihmojnë aspak serbëve në Kosovë. Ato shërbejnë vetëm për të shkaktuar trazira dhe për të minuar punën e qeverisë në Prishtinë. Ai bërtet veçanërisht me zë të lartë sa herë që kushtet në Kosovë ndryshojnë në atë mënyrë që ai të humbasë ndikimin ose të normalizohet situata. Ai dhe miku i tij Putin nuk e pëlqejnë aspak këtë”, ka deklaruar këshilltarja në BE.
Ajo më tej ka kritikuar edhe Perëndimin se nuk po e sheh që Vuçiq dhe presidenti rus Vladimir Putin, po e përshkallëzojnë situatën. Por, sipas saj, përpjekja e presidentit serb që ta paraqes Kosovën të keqe, është vetëm një “iluzion”.
“Për të ruajtur fuqinë e tyre, ata kanë nevojë për trazira dhe një armik që të tregojë se ajo shpërqendron nga veprat e tyre të këqija. Perëndimi ende bie pas këtij teatri dhe nuk e sheh se Vuçiq është ai që e përshkallëzon situatën. Ai luan viktimën me çdo hap që qeveria në Prishtinë hedh drejt normalizimit. Çdo hap që e afron Kosovën me BE-në është një gjemb në sy të Vuçiqit dhe ai përpiqet të përhapë narrativën e tij për Kosovën e keqe dhe viktimën e gjorë Serbinë. Por ky është një iluzion”, ka theksuar Kati Schneeberger për “Bota sot”.
Duke komentuar pretendimet e Vuçiqit për deportim të serbëve në veri të Kosovës, ajo ka thënë se ato kanë qëllim vetëm largimin e vëmendjes nga mënyra se si serbët po kërcënohen nga vet presidenti në Beograd.
“Është ai që po krijon trazira dhe disharmonie dhe po nxit njerëzit kundër njëri-tjetrit. Pretendimet e tij për një gjenocid të supozuar dhe deportim të serbëve në veri të Kosovës kanë për qëllim vetëm të largojnë vëmendjen nga mënyra se si serbët po kërcënohen dhe shantazhohen nga Vuçiq dhe Beogradi. Vuçiqit i pëlqen të paraqitet si zgjidhës i problemeve. Zjarret që ndezi i shuan vetë. Nga e njëjta fabrikë vjen jo vetëm propaganda e Serbisë dhe Rusisë, por edhe mënyra e tyre e kërcënimit dhe frikësimit. Ne duhet t’i marrim kërkesat nga Beogradi me qetësi dhe në vend të kësaj t’i zbatojmë kërkesat tona ndaj Beogradit, në vend që të shpërblejmë Vuçiqin për përshkallëzimin e tij”, ka shtuar këshilltarja në BE.
Sipas një dokumenti që u është shpërndarë mediave, 7 kërkesat e Serbisë janë: Shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe funksionet gjyqësore, tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu, formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, zbatimin e garancive të BE dhe SHBA për lirimin e të burgosurve politikë serbë dhe kthimin e pagesave me valutën serbe dinar.