Një ngjarje e pazakontë ka tronditur banorët e një zone në Gjermaninë perëndimore. Një meteor ka rënë mbi çatinë e një shtëpie në qytetin Koblenz, duke shkaktuar dëme materiale dhe panik mes banorëve të zonës.
Sipas mediave gjermane, objekti qiellor përshkoi çatinë e ndërtesës dhe përfundoi në një dhomë gjumi. Fatmirësisht, në atë moment nuk ndodhej askush brenda dhe nuk ka persona të lënduar.
Autoritetet lokale konfirmuan se nuk ka rrezik të mëtejshëm për banorët.
Megjithatë, momentet e para pas incidentit u shoqëruan me frikë dhe konfuzion, pasi shumë njerëz panë në qiell një dritë të fortë dhe një “lëmsh” të zjarrtë që kaloi me shpejtësi.
Dëshmitarët okularë thanë se objekti i ndritshëm u pa nga shumë zona dhe menjëherë në rrjetet sociale nisën spekulimet. Disa përdorues madje pyesnin nëse mund të bëhej fjalë për një raketë.
Shkencëtarët shpjegojnë se kur një asteroid hyn në atmosferën e Tokës, ai shpesh copëzohet për shkak të temperaturave të larta dhe presionit. Pjesa më e madhe e fragmenteve digjen gjatë rënies, por disa prej tyre mund të arrijnë në sipërfaqen e Tokës. Këto fragmente njihen si meteorite.
Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e shumë banorëve në rajonet përreth, të cilët mbetën të habitur nga pamja e objektit të ndritshëm që përshkoi qiellin.
/tiranapost
