Lajme

Një muaj paraburgim ndaj tre të dyshuarve për rrahjen në lagjen “Emshir”

Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar masën e paraburgimit ndaj katër të pandehurve për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “lëndim i rëndë trupor dhe veprën penale në bashkëkryerje lëndim i lehtë trupor”.

Sipas Gjyaktës, ndaj të pandehurëve A.H.1, A.H.2 dhe J.H iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin, ndërsa ndaj të pandehurit M.H iu është caktuar masa e sigurisë paraqitja në stacioni policor në kohëzgjatje prej një muaj.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më datën 05.09.2024 rreth orës 20:30 në lagjen Emshir në Prishtinë për shkak të mosmarrëveshjeve me familjen H., të pandehurit në bashkëkryerje edhe me tre të mitur, me dashje dhe me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore përgatiten dhe marrin mjete të përshtatshme për të shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe shkojnë në vendin ku po qëndronin të dëmtuarit A.H, N.H, S.H dhe B.H, ku pas një fjalosje të shkurtër, fillojnë ti godasin në pjesë të ndryshme të trupit me ç’rast të dëmtuarit A.H i shkaktojnë lëndime të rënda trupore. Ndërsa në të njëjtë datë, kohë dhe vend për shkak të mosmarrëveshjeve me familjen H., të pandehurit në bashkëkryerje edhe me tre të mitur, me dashje dhe me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore, përgatiten dhe marrin mjete të përshtatshme për të shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe shkojnë në vendin ku po qëndronin të dëmtuarit N.H, S.H dhe B.H, ku pas një fjalosje të shkurtër fillojnë ti godasin në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtëve ju shkaktojnë lëndime të lehta trupore”, thuhet në njoftimin e Gjykatës./teve1.info/