Kuriozitete

Një mural 4 mijë vjeçar në Peru mund të ndryshojë historinë

Arkeologët në Peru kanë zbuluar një mural shumëngjyrësh tredimensional që mund të datojë 4 mijë vite më parë, një zbulim i paprecedentë që ka ndryshuar botëkuptimin arkeologjik për qytetërimet e para në Amerikë, raporton The Guardian.

Murali me përmasa 3 me 6 metra është një paraqitje stilistike e një zogu grabitqar me krahë të hapur, kokën e zbukuruar me motive tredimensionale në trajtë diamanti që vendosen vizualisht në kahet jugore dhe veriore. Ai është i mbuluar me relieve dhe i ngjyrosur me blu, të verdhë, të kuqe dhe të zezë.

Murali hedh dritë mbi besimet dhe strukurat e hershme shoqërore të qytetërimeve të lashta të periudhës 2000-1000 para Krishtit në Peru. Arkeologët e konsiderojnë Perunë pre-hispanike si vendlindjen e qytetërimit në Amerikë me mbi 100 mijë vendgërmime arkeologjike.

Muralja me dy anë është pjesë e një zbukurimi të brendshëm të një kopshti brenda një tempulli. Në të përfshihen peshq, rrjeta, qenie mitologjike dhe yje.

Image

“Këta ishin popuj që jetonin me bujqësi e peshkim, por tregojnë tashmë shenjat e para të hierarkisë sociale”, thotë profesoresha Ana Cecilia Mauricio.

Njerëzit më me ndikim dhe të pushtetshëm ishin shamanët, priftërinjtë dhe priftëreshat. “Ata kishin dije të rëndësishme për bimët mjekësore dhe astronominë, ata mund të parashikonin motin duke vëzhguar yjet dhe diellin. Ata morën dije dhe nisën ta përsosnin. Ata ishin, në njëfarë mënyre, shklencëtarë dhe udhëheqës shpirtërorë e besimi”, shton Mauricio.

Në një nga muralet ka tri figura njerëzore që tregojnë një shndërrim nga njeri në zog. Sipas Mauricio, mund të jetë edhe shndërrimi i figurshëm i një shamani në një gjende psikoaktive pas konsumimit të një substance si kaktusi San Pedro, një halucinogjen tradicional në Amerikën e Jugut.

Ky vendgërmim, i quajtur Huaca Yolanda, është i ekspozuar ndaj rreziqeve si zhvillimi i bujqësisë, urbanistikës dhe mbetjeve që kanë shkatërruar gërmadhat rrethuese.

Të Ngjashme