Lajme

Një nga personat në listën “EU Most Wanted” bie në prangat e Policisë së Kosovës

Liridon Fetahi po kërkohej nga Danimarka, për përfshirje në dy raste të ndryshme të vrasjeve.

Njëri rast kishte ndodhur në prillin e vitit 2020, ku në një parking publkim ishte vrarë një person.

Ndërkaq, në nëntorin e po atij viti, tre viktima u qëlluan për vdekje.

Në të dy rastet, Liridon Fetahi po akuzohet se mori pjesë, si anëtar i një bande kriminale daneze.

Ai u arrestua tek sot në lagjen Veternik të Prishtinës, pasi kishte kohë që të dhënat e tij, u publikuan në listën e njerëzve më të kërkuar të Evropës.

Në arrestimin e Fetahit, u angazhuan njësitet elitare të Policisë së Kosovës, përfshirë të specializuarit në arrestimin e të kërkuarve ndërkombëtar, “FAST Kosova”,

“Arrestimi është kryer në bazë të një letër-rreshtimi ndërkombëtar, Red Notice, të lëshuar nga autoritetet e INTERPOL-it të Danimarkës. Rasti është duke u trajtuar në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa autoritetet kompetente janë duke ndërmarrë veprimet e mëtejme ligjore në përputhje me procedurat në fuqi. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit të organizuar, si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për garantimin e sigurisë së përgjithshme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sipas raportimit të mediave daneze, Fetahi është i akuzuar bashkë me pesë persona të tjerë.

Në kohën kur rasti po trajtohej në Gjykatë, Fetahi ishte i vetmi që ishte liruar nga akuzat, mirëpo Prokuroria kishte vendosur që lirimin e tij ta apelonte në Gjykatën e Lartë. Mirëpo Fetahi më pas nuk u paraqit në seancën dëgjimore, dhe që prej asaj kohe ishte i kërkuar ndërkombëtarisht përmes Europolit.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Të Ngjashme